Lajme

​Gastronomët: Sot janë mbyllur rreth 8 mijë biznese, pas 18 prillit protestojmë

04/07/2021 17:07
nga:M K

Ani pse kanë kundërshtuar vendimin e ri të Qeverisë për mbylljen e gastronomisë, rreth 8 mijë restorante, hotele e kafiteri sot kanë nis t’i respektojnë masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Sipas kryetarit të Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, Hysen Sogojeva deri më 18 prill do t’i respektojnë masat, ndërsa pas kësaj date ai thotë se nëse nuk iu lejohet veprimtaria e tyre, do të reagojnë edhe me protesta.

Sogojeva thotë për KosovaPress se vendimi i Qeverisë është i ngutshëm, dhe pa u konsultuar me Odën Hoteliere Turistike të Kosovës, edhe pse sipas tij premtimet kanë qenë edhe gjatë fushatës që para çdo vendimi do të konsultohen paraprakisht.

Sogojeva: Sot janë të mbyllura 7-8 mijë hotele dhe restorante

“Të gjitha hotelet dhe restorantet për momentin sot asnjë nuk funksionon, pra kjo veprimtari është e mbyllur dhe gjithmonë janë respektuar vendimet të cilat janë ndërmarrë. Ndërsa, pas 18 prill, me vendimin që e kemi marrë dje nga Kryesia nuk do të ketë as dialog lidhur me këtë. Prandaj, kemi me shkuar me masa duke filluar prej reagimeve me protesta, si dhe demonstrata dhe forma të tjera… Numri total nëse llogarisim si veprimtari turistike për mbi 9 mijë, dhe nëse i llogarisim edhe ato që kanë pasur humbje, sot përafërsisht 7-8 mijë janë të mbyllura”, thotë ai.

Kreu i Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, Sogojeva duke kërkuar mbështetje për gastronomët, thotë se ka informata që Qeveria do të ofroi një mbështetje mjaft të ulët, mjete vetëm për gjysmë page dhe për gjysmë të qirasë.

Sogojeva: Mbështetja e ofruar nuk është asgjë hiq, minimale

“Sipas informatave që i kemi, ata(qeveria) po dëshirojnë me i paguar gjysmë page për punëtorët dhe gjysmë qiranë ata që kanë qira. Mirëpo, kjo është minimale, nuk është asgjë, për arsye se ne edhe në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk jemi pajtuar, ngase ajo është një lloj ndihme për arsyes se nëse përpjesëtohen 13-14 mijë biznese del prej 20-170 euro më iu jap bizneseve”, thekson Hyseni.

Ai ka treguar edhe për numrin e punëtorëve që janë në këtë sektori, që sipas tij, rrezikohen të mbesin pa punë 20 mijë punëtorë.

Sogojeva: 30 mijë janë të punësuar në gastronomi

“Për momentin në sektorin e hotelerisë sillen rreth 30 mijë të punësuar. Mirëpo, nëse marrin përqindjen që janë dëmtuar 70 përqind ky sektor i bizneseve, atëherë na del që nëse mundemi me i shpëtuar 10 mijë e lërë më nëse masat vazhdojnë bizneset futen para kolapsit…Nuk ka mundësi me u ringjallë ose me mbijetuar 5 mijë deri 6 mijë biznese prej 13 mijë bizneseve, të cilat sot janë aktive… 60-70 përqind kanë pasur rënie të të hyrave sektori i veprimtarive të hotelerisë e restoranteve dhe nëse vazhdon me këtë trend nuk do të ketë rikuperim”, pohon ai.

Prandaj, për këtë Sogojeva ka thënë se shteti duhet ta mbështesë këtë sektor më dinjitetshëm. Kujtojmë se nga sot në tërë vendin kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese, përfshirë edhe orën policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

LEXO EDHE:

Qarkulloi një video-inçizim ku shihej se qeveria theu rregullat anti-Covid, vjen reagimi zyrtar