Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu vlerëson se detektimi dhe arrestimi i ish-punonjësit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili dyshohet se ka zbuluar informacione që rrezikojnë sigurinë e vendit, është sukses për këtë institucion, pasi që është parandaluar rrjedhja e informacioneve.
Rekomandon krijimin e një instrumenti shtesë në këtë agjenci për të forcuar kontrollin e brendshëm për mosrrjedhjen e informatave.
Musliu, në një intervistë për KosovaPress, thotë se edhe në shërbimet më të mëdha botërore ka rrjedhje të informatave dhe individ që mund të keqpërdorin privilegjet e punës, teksa thekson se edhe pse institucion i ri, AKI-ja ka dëshmuar se është në gjendje të pastrojë veten.
Musliu: Edhe pse shërbim i ri, AKI ka dëshmuar se është në gjendje të pastrojë veten
“AKI-ja edhe pse një shërbim i ri ka treguar që është në gjendje të pastrojë veten, si çdo organizëm tjetër, në mënyrë të suksesshme, në kohë të saktë dhe në mënyrë të saktë. Të gjitha metodat operative janë përcaktuar me kohë, janë ndërmarrë me kohë të gjithë hapat dhe unë e vlerësoj si një hap suksesi të AKI-së dhe uroj që edhe në të ardhmen në këtë mënyrë të pastrojë radhët e veta, sidomos në këtë segment, pasi që është shumë i ndjeshëm. Ka metoda të ndryshme, me të cilat, shërbimet sekrete mund dhe tentojnë në çdo mënyrë, në kohë permanente që ta lëndojnë Kosovën nëpërmjet sektorëve të institucioneve të ngjashme”, thotë ai.
Sipas tij, AKI ka reaguar në kohë duke e detektuar dhe përcjellë personin tashmë të arrestuar.
Musliu: AKI ka reaguar në kohë duke e detektuar dhe përcjellë personin tashmë të arrestuar
“Si në çdo institucion, edhe në AKI, të gjitha veprimet, të drejtat dhe obligimet janë të përcaktuara me ligj. Por, gjithkund mund të ndodhë që ndonjë punëtorë mund të keqpërdorë atë që i ofrojnë privilegjet e punës. Ashtu edhe në AKI ka ndodhur ky rast, që nuk është përjashtim nga të gjitha shërbimet e tjera në botë. Kanë ndodhur shumë skandale më të mëdha dhe kanë lënduar shumë ato shtete, ato shoqëri, ku kanë ndodhur. Për fat të mirë, e shoh si një sukses të AKI-së, e cila e ka detektuar në kohë, e ka përcjellë dhe ka reaguar mu në kohën e duhur dhe ka arrestuar punëtorin, i cili ka keqpërdorur informatat dhe ka përdorur në mënyrë të jashtëligjshme atë që i është ofruar si informatë dhe që i shërbejnë shërbimit sekret të Kosovës, respektivisht AKI-së”, shton ai.
Për ekspertin e çështjeve të sigurisë është e rëndësishme që të detektohet dhe të zhvillohet hetimi se ku rrjedhë informacioni. Ndërkohë që demanton zërat që personi i arrestuar ditën e djeshme të ketë qenë drejtor i sektorit të IT.
Musliu: Personi në fjalë nuk ka qenë shef i IT-së
“Është me rëndësi të detektohet apo të zhvillohet hetimi se ku rrjedhë informacioni, ku mbaron dhe kush mund të lëndohet nga kjo rrjedhje e informacionit. Dhe, kjo është bërë… Personi në fjalë është prezantuar në publik si shef i IT-së, por nuk ka qenë shef i IT-së, ka qenë punëtor, një prej teknikëve që bënë pjesë në këtë drejtori dhe ka rrjedhur një informacion që nuk është i saktë. Mund të jetë edhe plasim i qëllimshëm dhe i rrejshëm apo i qëllimshëm për zmadhimin e problemit që mund të ndodhë në këtë institucion”, thotë ai.
Në mënyrë që të mos përsëriten keqpërdorime të tilla, Musliu rekomandon themelimin e një mekanizmi shtesë brenda Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në mënyrë që të forcohet edhe më shumë kontrolli i brendshëm.
Musliu: AKI të krijojë edhe një instrument shtesë për të forcuar kontrollin për mosrrjedhjen e informatave
“Unë e shoh një plus më tepër që Agjencioni Kosovar i Inteligjencës që brenda vetes të krijojë edhe një instrument shtesë për të forcuar kontrollin e brendshëm për mosrrjedhjen e informatave. Do të thotë ky është një lloj mësimi edhe për AKI-në, e cila sigurisht do të reagojë në këtë mënyrë dhe do të krijojë edhe një instrument shtesë edhe më të rreptë të brendshëm që të mos rrjedhin informata të brendshme dhe të dalin jashtë”, thekson ai.
Ish-punonjësi i AKI-së, me inicialet M.K., i cili është arrestuar dje me dyshimin se ka zbuluar informacione konfidenciale sot është paraqitur në seancën e parë dëgjimore, me ç’rast ndaj tij pritet te vendoset për masën e paraburgimit.
Ndërsa në komunikatën e lëshuar dje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se i dyshuari ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe duke zbuluar informacion të klasifikuar.
“Me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës… Ndaj të njëjtit, ju njoftojmë se do të ndërmerren veprime të tjera procedurale”, thuhej në komunikatë.