Ndërsa Shtetet e Bashkuara zhvillojnë fushatën e tyre të vaksinimit Covid-19, duke synuar që vaksinat të bëhen të disponueshme për të gjithë të rriturit deri më 19 prill, disa mjekë dhe punonjës shëndetësorë shqetësohen që preferencat e markave midis marrësve të mundshëm të vaksinave mund të dëmtojnë përpjekjet për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Shumë shtete në të gjithë vendin po përshkallëzojnë përpjekjet për të vaksinuar sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur për të zbutur valët e reja të infeksioneve.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë autorizim për përdorim urgjent për tre vaksina Covid-19 për të cilat thotë se janë shumë të efektshme në parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve të rënda nga koronavirusi i ri.
Të treja vaksinat ofrojnë pothuajse mbrojtje të plotë kundër vdekjes dhe shtrimeve në spital të lidhura më Covid-19, tha FDA.
Sidoqoftë, në provat klinike, vaksinat Pfizer dhe Moderna raportuan një efikasitet 95 % në parandalimin e koronavirusit, ndërsa J&J raportoi një efikasitet 72% në provat klinike në SHBA.
Punonjësit shëndetësorë kanë raportuar se kanë parë shumë pacientë që shprehin preferenca për t’u vaksinuar me një vaksinë të veçantë.
Muajin e kaluar, kryebashkiaku i Detroit, Mike Duggan tha se ai preferonte që banorët e qytetit të merrnin vaksinat Pfizer dhe Moderna.
“Johnson & Johnson është një vaksinë shumë e mirë. Moderna dhe Pfizer janë më të mirat. Dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që banorët e qytetit të Detroit të marrin më të mirën,” tha Duggan në fillim të marsit.
Dallimet në efikasitet nuk janë aq drastike sa sugjerojnë numrat, thonë ekspertët e shëndetit publik. Provat u kryen në kohë të ndryshme, me shfaqjen e varianteve të reja, më ngjitëse të koronavirusit kur ishin në proces provat e vaksinës J&J.
Sipas hulumtimit të kryer nga Fondacioni Kaiser Family në mars rreth 30 për qind e njerëzve që thonë se janë të hapur për t’u vaksinuar thanë se kishin një preferencë të fortë se cilën vaksinë marrin, ndërsa rreth 25 për qind e njerëzve nuk kishin preferenca.
Organizata jofitimprurëse zbuloi se midis atyre me preferencë të markës së vaksinës, afërsisht 24 përqind thanë se preferonin një vaksinë me një dozë, ndërsa 14 përqind përmendnin nivelin e efektivitetit.
Carol Austerberry, një zyrtare shëndetësore në Michigan’s Wayne County, iu përgjigj shqetësimeve në lidhje me preferencën në vaksinim.
“Vaksinat janë shumë efektive në parandalimin e një infeksioni dhe sëmundjeje Covid-19 – çfarëdo marke qofshin,” tha Austerberry.
“Mesazhi im është: Kur të vijë rradha juaj, duhet të vaksinoheni. Mos prisni të merrni markën e preferuar,” u shpreh ajo.