Shtetet e BE-së dhanë sot dritën jeshile për ndalimin e ngjyrosësit ushqimor E171 (dyoksidi i titanit) si një shtesë ushqimore, nga viti 2022, për shkak të vënies në dyshim të sigurisë së tij nga rregullatori evropian.
E171, i përbërë nga grimca të dyoksidit të titanit në formë pluhuri, përdoret në shumë produkte ushqimore, ëmbëlsira, çamçakëz, prodhime brumi, supëra ose ushqime të gatshme, për vetitë e tij ngjyrosëse (pigment i bardhë) dhe errësuese.
Autoriteti Evropian i Sigurisë së Ushqimit (EFSA) vlerësoi në fillim të majit se E171 nuk mund të konsiderohej më “i sigurt” si një shtesë ushqimore, sepse, nëse përthithja e grimcave të dyoksidit të titanit është e ulët, “ato mund të grumbullohen në trup”.
Rregullatori, që kreu një studim me kërkesë të Brukselit, gjykoi se nuk ishte në gjendje të përjashtonte “gjenotoksicitetin” e përbërësit, domethënë aftësinë e tij për të dëmtuar ADN-në, materialin gjenetik të qelizave.
Në këtë proces, Komisioni Evropian propozoi ndalimin e E171 në të gjithë Bashkimin, një projekt i miratuar sot nga përfaqësuesit e të 27-ve.