Prej 28 korrikut Turqia është përfshirë nga zjarret. Autoritetet atje kanë njoftuar për 174 vatra zjarri prej të cilave 160 janë vënë nën kontroll.
Në këtë kohë, Turqia është një nga vendet e preferuara të pushuesve kosovarë që zgjedhin bregdetin turk për të kaluar ditët e ngrohta të verës.
Megjithatë, fati i mirë është se asnjë kosovar nuk është lënduar gjatë këtyre ditëve. Këtë e konfirmon Unioni i Turizmit të Kosovës që është në kontakt të ngushtë me të gjithë agjencitë turistike si dhe Ambasadën e Kosovës në shtetin turk.
Kryetari i Unionit, Baki Hoti, tha se nuk ka mbërritur asnjë ankesë prej asnjë pushuesi të cilët po qëndrojnë në Turqi.
Hoti: Asnjë kosovar nuk është lënduar në Turqi
“Ne kemi marrë një konfirmim nga Ambasada e Kosovës në Turqi dhe mund t’iu them se nuk ka ndonjë rrezik lidhur me vizitat pushuesve. Po ashtu për fatin e mirë nuk kemi asnjë person pushues nga Kosova që është dëmtuar nga këto zjarre. Këtë e konfirmon përveç ambasadës të gjitha agjencitë turistike të cilat operojnë në Kosovë ku asnjë klient i tyre nuk është ankuar sa i përket qëndrimit që janë momentalisht në Turqi dhe gjithçka është në fazat e normales”, tha Hoti.
Hoti thotë se nuk ka asnjë rrezik për pushuesit të cilët kanë rezervuar që të kalojnë pushimet në Turqi, pasi zjarret po vihen nënë kontroll ndërsa edhe ato vatra që kanë mbetur janë jashtë zonës së frekuentimit të pushuesve.
Hoti: Kemi marrë konfirmim nga ambasada se zjarret janë jashtë zonës së vizitorëve
“Sa i përket pjesës së Turqisë ne kemi edhe një shqetësim edhe nga agjencitë turistike të Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës të cilët dëshirojnë t’i kalojnë pushimet në Turqi dhe për këtë kam bërë një kërkesë te Unioni i Turizmit të Kosovës që të shikojë se si është gjendja momentale. Në kemi kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe kemi marrë një konfirmim nga ambasada që thotë se ka zjarre por zjarret janë jashtë pikës ku ka frekuentim të vizitorëve, jashtë pjesës së bregdetit,” shtoi ai.
Hoti tregoi se Turqia është një nga top tri vendet më të frekuentuara nga kosovarët gjatë verës, së bashku me Shqipërinë që mbetet destiancioni kryesor si dhe Malin e Zi.
Hoti: Turqia pjesë është një destinacion turistik edhe për kosovarët
“Faktikisht Turqia, duke e parë standardin të cilin e ka dhe zhvillimin e turizmit në atë pjesë është një destinacion turistik edhe për kosovarët për shkak se mund t’iu them është njëri ndër top tri destinacionet të cilat kosovarët zgjedhin, ne e kemi Shqipërinë, që shumë vizitorë nga Kosova e vizitojnë Shqipërinë, pastaj e kemi edhe bregdetin e Malit të Zi pjesën e Ulqinit por kemi një numër në rritje të vizitorëve që sa vite që e frekuentojnë edhe Turqinë dhe definitivisht edhe mikpritja, kultura e tyre, qasja në zhvillim të turizmit ka bërë të vetën,” deklaron ai.
Ndryshe, në një deklaratë të Drejtorisë së Përgjithshme e Pyjeve të Turqisë njoftohet se në periudhën 28 korrik – 4 gusht kanë shpërthyer 174 zjarre të pyjeve në gjithsej 39 qytete. Nga zjarret në fjalë janë marrë nën kontroll 160 prej tyre, thuhet në deklaratën në të cilën informohet se vazhdojnë punimet për të vendosur nën kontroll 14 zjarre në 5 qytete.