Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur një tubim me simpatizantë të kësaj partie në Podujevë.
Kandidati i këtij subjekti për kryetar komune, Ekrem Hyseni u shpreh i bindur në fitoren e tij më 14 nëntor.
Derisa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para simpatizantëve të kësaj partie në Podujevë, ka thënë se Llapi gjithmonë ka qenë dhe mbetet shtyllë e LDK-së dhe bazament i vlerave të kësaj partie.
“Ju na i dhatë zemrat më 17 tetor, po na jepni zemër edhe për 14 nëntor. Llapi gjithmonë ka qenë dhe mbetet shtyllë e LDK-së, bazament i vlerave dhe orientimeve tona, jo në nivel lokal, por edhe në nivel nacional. Ashtu siç kam thënë, pa Llap s’ka LDK, pa Llap nuk ka LDK. Ekremi i juaj iu ka përgjigjur atdheut dhe të gjitha orët e vështira. Në luftë dha betimin e luftëtarit, në paqe shërbeu si mjek me dinjitet dhe humanizëm, prandaj një atdhetar si ky s’ka si mos të jetë kryetar shembull i Podujevës. Ai sot është shndërruar jo vetëm në një simbol të rikthimit LDK-së në Kosovë, por të një njeriu në të cilin të gjithë besojmë… Fryma e fitores së LDK-së së Ibrahim Rugovës tashmë është e pandalshme në Llap…Më 14 nëntor të mos kemi vetëm një fitore të thjesht, por një fitore bindëse në Llap me doktorin”, tha ai.
Kandidati për kryetar të Podujevës, Hyseni tha se është i emocionuar nga tubimi i madh me qytetarë, derisa shtoi se ka mbetur edhe një hap, ai i fitores, i betimit si kryetar i Podujevës.
“Jam thellësisht i emocionuar nga madhështia e pranisë tuaj këtu. Prej kur jam nominuar e kam pasur një mision që të arrij në çdo cep të komunës sonë dhe të flas me të gjithë qytetarët dorë-përdorë… Ju më besuat më 17 tetor, tani na ka mbetur edhe një hap, ai i të dielës së 14 nëntorit, i cili do të jetë edhe hapi i fundit i fitores, hapi i fundit për ta dhënë betimin e kryetarit. Shihemi në mbrëmjen e 14 nëntorit për të festuat fitoren tonë”, theksoi Hyseni.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës është në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.