Analisti dhe profesori universitar nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, i ka kërkuar kryeminsitrit Kurti të ndajë buxhet edhe për Sanxhakun, ashtu siç bëri me Luginën e Preshevës.
“Albin Kurti ndanë 2 milionë € për Luginën e Preshevës. Albin, do të të them të lumtë vetëm atëherë kur të njëjtën gjë do ta bësh edhe për Sanxhakun. Bëje tani, mos u frikëso”, ka shkruar Spahiu në postimin e tij.
Një kërkesë të njejtë e ka bërë edhe Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, përmes një letër publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti duke vlerësuar lart vullnetin e Qeverisë së Kosovës që nga buxheti t’i ndahen 2 milionë euro Luginës së Preshevës, por ka kërkuar që në kuadër të planifikimit buxhetor për vitin 2022, ta parasheh një mbështetje për Sanxhakun e Novi Pazarit në shumën prej një milion euro.
Sipas kësaj shoqate, arsyet për ta përkrahur Sanxhakun janë të shumta.
“Kosova dhe Sanxhaku kanë fatin e njëjtë, lidhje të forta gjaku të cilat janë ruajtur gjatë gjithë së kaluarës së hidhur. Lidhjet farefisnore na detyrojnë të jem krah asaj popullate të vuajtur të lënë pas dore, e që ekzistencën e vet e mbështet në remitenca nga të punësuarit sezonal në Evropën perëndimore, ndërsa ekzistenca e subjektivitetit politik të këtij rajoni i ka shpresat te Republika e Kosovës. Përveç anës humane, Kosova ka interes strategjik që ta mbështes Sanxhakun në këto kohë kur po përballet me negociata të vështira e delikate me Serbinë”, thuhet në letrën publike.