Lajme

​Kosova merr presidencën e radhës të ABNA-SEE, zgjidhet edhe sekretari i ri gjeneral

09/18/2021 14:23
nga:M K

Asambleja e 29-të e Përgjithshme e Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SEE) po zhvillon për herë të parë në historinë e saj në Prishtinë. Paraditen e së shtunës është zgjedhur edhe sekretari i ri gjeneral.

Propozimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Branka Gabriela Vojvodiç nga agjencia kroate e lajmeve HINA mori shumicën e votave duke marrë detyrën e rëndësishme të ABNA-SE.

Po ashtu, në takimin e sotëm është vendosur qe Asambleja e radhës, e 30-ta me radhë, të mbahet në Bullgari nën organizimin e agjencisë së lajmeve BTA.

Me këtë rast, edhe sipas statutit të ABNA-SE, presidenca i kalon agjencisë KosovaPress, si mikpritës i Asamblesë së këtij viti, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në historikun e agjencisë së parë dhe më të madhe kosovare, por edhe të gjithë vendit.

Në takimin e sotëm janë diskutuar edhe disa çështje të tjera organizative të ABNA-SE.

Kujtojmë se në fokus të diskutimeve mes drejtuesve të agjencive të lajmeve të ABNA-SEE këtë vit është ndikimi i COVID në media.

Aleanca e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore u formua në vitin 1995 me synimin për të siguruar një bashkëpunim më të madh mes agjencive të lajmeve të rajonit por edhe të kontribuojë për një klimë paqeje, miqësojë, sigurie dhe bashkëpunimi në rajonin tonë.

Konferenca themeluese është mbajtur në Selanik në vitin 1995, si një nismë e MPA, ndërsa Asambleja e parë u mbajt në Antalia të Turqisë më 15 e 16 dhjetor të vitit 1995.

Anëtarët e rregullt të organizatës janë: AGERPRES (Bukuresht), ANA-MPA (Athinë), ANADOLU AGENCY (Ankara), ATA (Tiranë), BTA (Sofje), CNA (Nikosia), FENA (Sarajevë), HINA (Zagreb), MIA (Shkup), TANJUG (Beograd) dhe KosovaPress (Prishtinë), ndërsa vëzhgues janë Moldavia, Sllovenia, Armenia dhe Mali i Zi.