Lajme

Zyrtari i LDK-së i propozon Isa Mustafës e Albin Kurtit: Kjo është “formula” për tejkalimin e krizës së koalicionit

03/23/2020 14:34
nga:Gazeta Blic

Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike.

Ai ka shkruar se edhe Agim Veliu ishte ngutur kur e mbështeti Hashim Thaçin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe Kurti u ngutë kur e shkarkoi nënkryetarin e LDK-së nga posti i Ministrit të Brendshëm, raporton Gazeta Blic.

Salihaj ka propozuar edhe zgjidhjen për këtë situatë, në mënyrë që të mos prishet koalicioni VV- LDK.

Shënimi i plotë:

Lidhur me apelin tim të para dy ditësh, dëshiroj të jap disa sqarime dhe ta bëj edhe një apel të ri.

Fokusi e as tendenca ime nuk është aspak ta arsyetoj asnjë veprim të askujt. Në këtë rast nuk dëshiroj të flas si militant partiak, sepse ky kendvështrim nuk do të ndihmojë aspak në zgjidhjen e problemit.

E them qartë se prononcimi i ministrit Agim Veliu se e përkrah idenë e Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte gabim. Por, e them poashtu qartë, se veprimi i kryeministrit Kurti per shkarkimin e ministrit Agim Veliu, pa biseduar paraprakisht me të, pa asnjë konsultim dhe dakordim të kryetarit të LDK-së, ishte veprim plotësisht i gabueshëm. Pra, kryeministri Kurti prononcimin e ministrit Veliu e perdori si pretekst për shkarkim, e jo si arsye reale. Ashtu siç e përdori pastaj LDK shkarkimin e Veliut si pretekst për mocion, e jo si arsye reale. Pra, të dy rastet nga të dyja anët u perdorën si casus beli, dmth shkas për luftë. Pasojat do t’i bartë Kosova.

Apeloj ta ndalim këtë luftë dhe të gjejmë zgjidhje racionale. Situata me pandeminë e rrezikshme të korinavirusit, kur njerëzit po vdesin, nuk na lejon të hyjmë në këso lufte. Apeloj të ulen kryetari i LDK-së dhe ai i Vetëvendosjes, të tregohen të arsyeshëm dhe të gjejnë zgjidhje, pa e futur Kosovën në një krizë pa rrugëdalje, e cila mund të shndërrohet në anarki. Pra, ka zgjidhje, nëse duam.

Nuk humbet burrëria e LDK-se nëse e zëvendëson ministrin e Punëve të Brendshme me një emër tjetër, duke ia tërhequr vërejtjen kryeministrit Kurti se kjo është vërejtja e fundit për të. Por, as nuk humbet burrëria e Albin Kurtit nëse e rikthen Agim Veliun në pozitën e tij të deritashme, poashtu duke ia tërhequr vërejtjen se nuk duhet të jetë kundër kryeministrit. Kosova ka rrezik të shkatërrohet nga veprime iracionale. Ose këto që i thash janë vetëm pretekste, pra, pas gjithë kësaj fshehen skenarë krejt tjerë.

Kryeparlamentarja Osmani e pyet Institutin se a mund të mbahet seanca për rrëzimin e Qeverisë, kryesia mblidhet nesër

05/31/2020 14:55

Haxhi Avdyli i del kundër Isa Mustafës për raportin e UNDP-së: Unë u besoj numrave, e jo fjalëve e perceptimeve