Lajme

Zyrtari i LDK-së e “zbulon” marrëveshjen me Listën Serbe

04/28/2020 12:20
nga:Gazeta Blic

Ashtu siç ka raportuar ditë më parë Gazeta Blic, është konfirmuar sot nga deputeti i LDK-së, Arben Gashi marrëveshja me Listën Serbe.

Partia e drejtuar nga Goran Rakiq do t’i ketë 2 poste ministrash dhe një të zëvendëskryeministrit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha para gazetarëve se Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit, dhe se postin e zëvendëskryeministrit do ta mbajë njëri prej ministrave nga kjo parti.

“Lista serbe do të jetë pjesë e koalicionit. Njëri prej ministrave të Listës Serbe do të jetë edhe zëvendëskryeministër”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Ndryshe, të premten Gazeta Blic ka raportuar se LDK e Lista Serbe janë dakorduar që nga pos dy ministrive, partia e Rakiq në kabinetin qeveritar Hoti do t’i ketë edhe një post zëvendëskryeministri dhe drejtorinë për komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Gashi ndër të tjera para gazetarëve ka theksuar se shumë shpejt do të procedohet kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, raporton Gazeta Blic.

Ai tha se sot ose nesër, do të përfundohet çështja e koalicionit, pra do të formalizohet edhe kjo çështje.

“Në momentin që do t’i kemi 61 vota, atëherë do t’ia dëshmojmë presidentit, dhe pastaj ai do të na jep mandatin”, tha ai.

“Po presim që me formalizim e koalicionit, që do të bëhet shumë shpejt, besoj që brenda ditës ose nesër të procedojmë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë. Akoma nuk e kemi marrë po besoj që sapo ti kryejmë çështjet që kanë të bëjnë me formimin e koalicioneve, dhe 61 deputetë, do ta njoftojmë presidentin”, ka deklaruar ai.

Gashi ka theksuar se koalicioni do t’i ketë 64 vota.

Arben Gashi: I kemi 64 vota, sot ose nesër formalizohet marrëveshja e koalicionit

05/29/2020 11:14

Isa Mustafa: Seanca për votimin e Qeverisë mbahet të shtunën ose të hënën