Lajme

Zyrtari i LDK-së e quan papërgjegjësi të Kurtit kërkesën për seancë, thotë se po abuzon me votat e qytetarëve

01/30/2020 20:35
nga:B. D

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni, ka thënë se thirrja e seancës për votim të qeverisë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është papërgjegjësi e plotë nga ana e tij.

Sipas tij, kjo edhe njëherë po e dëshmon se sa seriozisht e ka marrë VV-ja negociatat me LDK-në për qeverisje.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se ata u treguan të papërgjegjshëm me këto veprime të njëanshme në kohën kur po bëheshin përpjekjet e fundit për dakordim.

Ai e ka quajtur papërgjegjësi totale të Vetëvendosjes, duke shtuar se veprimet e tilla e bëjnë të pamundshme arritjen e marrëveshjes me LDK-në.

Hyseni thotë se lidhur me lajmin për seancën e ka marrë nga mediet.

“Derisa je në një proces negociues me një partner potencial, gjëja me e natyrshme do të ishte të njoftosh për vendimet. Ndërkohë që ne prisnim një përgjigje ndaj ofertës shumë gjeneroze të LDK-së ne pame një fizkulture të radhës së LVV-së. Ka një tendencë në qarqe të caktuara në Vetëvendosje që LDK-në ta marrin me mos përfillje, që LDK-në ta marrin me tallje. Me një partner potencial nuk komunikohet përmes video mesazheve, me në partner potencial komunikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Hyseni i quan veprime karikaturiale veprimet Kurtit, duke shtuar se LDK-ja është paraqitur shumë më serioze në bisedimet me VV-në.

Ai tutje ka shtuar se insistimi i LDK-së ka qenë që të mos ketë koalicion parazgjedhor, por se pas zgjedhjeve, partneri i vetëm potencial ka qenë Vetëvendosje.

“VV-ja bënë me gisht gjithnjë edhe nëse vepron mirë edhe keq, prandaj nuk e marrë seriozisht. VV-ja nuk është e gatshme të marrë përgjegjësitë. VV-ja që nga certifikimi i zgjedhjeve është sjellë si një fushatë parazgjedhore dhe çdo veprim ka qenë i dizajnuar si fushatë. A po synon zgjedhje të parakohshme VV-ja”, ka thënë ai.

Hyseni thotë se është e dëmshme për vendin që të shkohet në zgjedhje të reja.

Ai thotë se VV-ja është abuzuese me votën e qytetarëve, duke shtuar se VV-ja gabon nëse mendon që mund ta nënshtrojë LDK-në.

07/31/2020 08:29

Kurti: Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme!