Lajme

Zyra e kryeministrit: Kurti mund të takohet me presidentin të premten pasdite

03/11/2020 11:02
nga:Gazeta Blic

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja adresë që i ka qëndruar afër Kosovës në çdo kohë të vështirë, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Komentet e tij, Thaçi i bëri pas ftesës që i kishte dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për t’u takuar, por ky i fundit nuk i kishte shkuar në takimin e thirrur në Presidencë.

Presidenti i Kosovës tha se e ka ftuar Kurtin në takim që të reflektojnë karshi kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që menjëherë të shfuqizohet tarifa 100 për qind e vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut për arritjen e një marrëveshjeje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kundërtën, SHBA, e ka paralajmëruar Kosovën me pasojat që mund të ballafaqohet, duke mos përjashtuar as mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

Ndërkohë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e kryeministrit Albin Kurti, është thënë se kryeministri Kurti mund të takohet me presidentin të premten pasdite.

Të martën, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.

Deklarata gjeti mbështetjen edhe të të dërguarit presidencial të SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit, Richard Grenell.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.

“Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se SHBA-ja duhet të qëndrojë në gjitha format e saj shtetërore në Kosovë, me ambasadë, ekonomi, kulturë dhe mbrojtje.

Thaçi mesazh Kurtit: Ftesa për takim mbetet e hapur, mos merr vendime që çojnë në drejtime të gabuara

06/03/2020 21:38

Hashim Thaçi “provokon” Albin Kurtin: Sot, e futi “bishtin nën shalë”