Lajme

Zmbrapsja Speciale

01/09/2018 07:53
nga:Gazeta Blic

Kryeparlamentari Kadri Veseli është zmbrapsur nga bashkëiniciativa me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Sipas tij, kjo Gjykatë nuk mund të pengohet. Por, partnerët e koalicionit qeverisës (AAK-ja dhe Nisma) nuk janë tërhequr nga kjo iniciativë.

Në mesin e 43 deputetëve që kishin marrë iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale shumica ishin deputetë të PDK-së që drejtohen nga Kadri Veseli.

Ky i fundit madje kishte thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Kuvendit në fund të muajit të kaluar për ta proceduar në seancë të Kuvendit shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, porse një iniciativë e tillë dështoi për dy herë radhazi në mungesë të kuorumit. Por, dy javë më vonë shefi i PDK-së dhe njëherësh kryeparlamentari Kadri Veseli nëpërmjet një opinioni të botuar në medie ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Gjykata Speciale nuk do të mundë të pengohet, ashtu siç nuk ka mundur të ndalet as para dy vjetësh (kur ishte miratuar në Kuvend), shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

Por pavarësisht tij përfaqësuesit e dy partnerëve të koalicionit, të AAK-së e të Nismës, nuk janë tërhequr nga kjo iniciativë. Përkundrazi, përderisa nga AAK-ja kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga Nisma për Kosovën thonë se ky ligj duhet t’i nënshtrohet ndryshim-plotësimit.

Mirëpo njohësit e çështjeve politike opsionin e shfuqizimit e shohin gati të pamundur pas tërheqjes së PDK-së nga kjo nismë. Sipas tyre, tërheqja e PDK-së nënkupton vetvetiu edhe tërheqjen e kërkesës për zhbërjen e Gjykatës. Ndërkohë, tërë bujën e ditëve të fundit rreth Speciales ata e konsiderojnë si një “lojë” që është bërë për interesa të ngushta e aspak parimore.

Veseli: Gjykatën Speciale s’mundëm ta ndalim as më 2015-ën

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit e njëherësh lider i PDK-së, gjatë ditës së djeshme ka thënë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk do të ndodhë. Sipas tij, kjo Gjykatë nuk ka mundur të ndalet as atëherë kur është votuar, para dy vjetëve. “Më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj. Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë. Qëndrimi im ndaj saj mbetet ai që e kam thënë në Kuvend tash e dy vjet më parë. Nuk kemi mundur ta ndalnim as atëherë. 22 dhjetori vetëm e dëshmoi këtë”, ka thënë Veseli nëpërmjet një shkrimi autorial.

Veseli më tutje ka thënë se Gjykata Speciale do ta ketë të pamundur ta turpërojë luftën që ka bërë UÇK-ja. “Askush nuk do të mundë të na turpërojë për luftën që kemi bërë e më së paku Gjykata Speciale. Këtë mund ta bëjnë vetëm egot personale për përfitime apo librezat e rrejshme të veteranëve”, ka nënvizuar i pari i PDK-së./Zeri

06/20/2018 12:27

Vjosa Osmani: Hashim Thaçi nuk mund t’i udhëheq bisedimet, në fazën finale me Serbinë