Opinion

Zhveshja ‘historike’ e Thaçit!

Gazeta BlicGazeta Blic

Hashim Thaçi s’asht nji politikan naiv, as s’ban gabime naive! Thaçi ka aftësinë e jashtëzakonshme me u imponue si negociator, mandej – konvertue në fuqi personale politike. Deri tash, i ka funksionue për mrekulli nji strategji e tillë.

Bazuem në përvojën e tij politike, Thaçi, e ka kuptue ma mirë se tanë tjerët ‘urgjencën’ e perëndimit me e funksionalizue investimin e tij (Kosovën) mbrenda projektit të parapamë dhe, në të njajtën kohë, me e ndërtue besimin e Serbisë te perëndimi, e rrënueme, sidomos, me bombardimin e saj gjatë luftës së Kosovës.

Natyrisht se perëndimi s’do nji vend europian të shndërruem në bazë ruse, por, njikohësisht asht e dukshme se, shumica e vendeve europiane ende ruejn simpatinë e miqësisë së dikurshme me Serbinë. Dhe, e duen mbrenda!

Gjetja (imponimi) në rolin e protagonistit në nji projekt kaq krucial (por edhe kompleks) për interesat afatgjata të perëndimit, asht nji furnizues i vazhdueshëm fuqie politike, e që, mandej, mvarësisht prej formimit politik të përvetësuesit të kësaj fuqie politike – përcaktohet edhe orinetimi i tij, nëse ka me u personalizue ose kapitalizue për nji të interes të përgjithshëm! Nji mundësi për përfitim personal politik nga nji rol i tillë, e kishte nuhat edhe kryeministri i Shqipnisë, Edi Rama, por që përpjekjet e tij u shuen nga përvoja e Thaçit në këte terren manovrimi.

Megjithatë, si çdo njeri i magjepsun nga mbivlerësimi për vetën, nji ditë ka me u përballë me zgjimin… edhe Thaçi!

Erdogani s’asht perëndimi! Ai s’e njeh xhentilesën politike, asht i ashpër si tanë autokratët! Për ma shumë, s’e preokupojnë të njajtat shqetësime që ka perëndimi për e lidhun me Kosovën. Erdogani beson se, tashma, asht i etabluem (politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht) në Kosovë, ndër popullatën shumicë, prandaj s’e ndjen as nevojën ma të vogël me kalkulue e koketue me politikanë kosovar! Thanë ndryshe, Thaçi u gjet pa nji grimcë terren negocimi në kërkesat eksplicite të Erdoganit!

I mbështetun për muri, mes zgjedhjes së fatit të tij politik apo atij shtetnor, Thaçi, sërish s’befason! Me gjithë çmimin e paguem të zhveshjes totale të figurës së tij politike! Pajtoi nënshtrimin e përuljen deri ku s’prek ma fytyra e njeriut. I po njajti njeri që i ‘tregonte dhëmbët’ Bashkimit Europian!

Kidnapimi dhe deportimi i gjashtë të përndjekurve turq nga regjimi i Erdoganit, shpërfaqi haptas pozicionin e ndjeshëm të nji presidenti të shantazhuem në tana anët! E pamë tanë se si shkel mbi gjithçka përpara nji president i shantazhuem – kur s’i mbetet nji grimcë hapësine kalkulimi e negocimi! E pamë tanë se s’asht ai presidenti kërkues e kërcënues si ndaj miqve tanë, shumëherë tolerues.

Thjesht, ai, veçse s’ishte përballë asnjiherë ma parë me nji Erdogan, për me e zhvesh cullak, si tashma tanë e pamë!

04/28/2018 19:16

Konsensusi për konfuzitet!