Lajme

Zhgënjimi ndaj BE-së dhe besimi në SHBA-në

03/05/2020 22:01
nga:E Sh

Kosova dhe qytetarët e saj, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej, kanë pasur një entuziazëm të madh ndaj Bashkimit Evropian dhe synim për t’u bërë pjesë e tij, por tashmë ekziston një zhgënjim i madh dhe skepticizëm lidhur me proceset integruese të vendit, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike në Kosovë.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhgënjimi i madh i Kosovës me Bashkimin Evropian ka ardhur për shkak të procedurave të ngadalta të saj në proceset integruese dhe tashmë Kosova mbetur e fundit në Ballkanin Perëndimor në këto procese.

Ndërkohë sipas tij, zhgënjimi me Bashkimin Evropian është rritur edhe më shumë për faktin që Serbia, të cilën qytetarët e Kosovës e konsiderojnë fajtore për luftërat në ish-Jugosllavi, ka ecur shumë përpara në procesin e integrimeve evropiane. Për më shumë, siç thotë Tahiri, pesë vende të Bashkimit Evropian, ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Forumet evropiane ose institucionet evropiane nuk po bëjnë asnjë përpjekje të vogël që këto vende ta njohin Kosovën ose që të gjejnë njëfarë zgjidhje të ndërmjetme që të mos jenë të kundërshtueshme me Kosovën, me pavarësinë dhe të ardhmen e saj. Gjithashtu, është edhe një faktor, që Kosova është vend i vogël dhe e ka mentalitetin qytetar, pak a shumë, servil dhe në krahasim ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këto të fundit u duken shumë më të forta dhe shumë më e afërta për mentalitetin kosovar”, tha Tahiri.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që skepticizmi i qytetarëve të Kosovës, por edhe institucioneve të saj, ndaj Bashkimit Evropian ka ardhur duke u rritur gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe ndërlidhet me dialogun ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Qytetarët e kanë parë që për të njëjtin dialog, Serbia vlerësohet dhe shpërblehet, ndërkohë që Kosova, për fat të keq, ende nuk e ka as liberalizimin e vizave, një çështje që tashmë me vite është tejkaluar nga vendet e rajonit. Të mos harrojmë se një faktor tjetër është paaftësia, pazotësia e Bashkimit Evropian që të luajë rolin e vet serioz në çështjen e Kosovës, në kuptimin që, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, pesë anëtare të këtij unioni ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur”, theksoi Mushkolaj.

Ai shtoi që mosnjohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së, qytetarët e Kosovës e perceptojnë si një lloj pafuqie, e mbase edhe një lloj qasje armiqësore ndaj vendit të tyre, gjë që ka çuar dhe vazhdon të çojë në humbjen e mëtejshme të besimit te Bashkimi Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media të mërkurën, ka thënë që Brukseli nuk po tregon aftësi për të përmbyllur procesin e dialogut Kosovë-Serbi me një marrëveshje dhe se tashmë është një rol dhe interesim në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump që të përmbyllet ky proces me marrëveshje paqësore.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se jo vetëm skepticizmi, por edhe një lloj mosbesimi ndaj Bashkimit Evropian, tashmë vërehet edhe te drejtuesit institucionalë të Kosovës, të cilët në mjaft raste kanë kërkuar që në ndërmjetësimin e dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, të përfshihen Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Politologu Tahiri thotë që kjo kërkesë vjen për shkak se pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i shumë i qartë dhe e përkrahin pa rezervë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, si dhe deklarojnë se kthim prapa nuk ka. Ndërkaq, sipas tij, shtetet individuale të Bashkimit Evropian, e pranojë pavarësinë e Kosovës, por përveç Gjermanisë, ato nuk kanë qëndrim të fortë përballë kësaj pavarësie.

“Qytetarët e Kosovës, por edhe elita politike e saj, Evropën e shohin si me dyshim sepse Bashkimi Evropian dhe të gjitha organet e saj, NATO, mbajnë qëndrim neutral karshi Kosovës. Ky qëndrim neutral, kur është prezent edhe Serbia dhe kur ajo merr pjesë në forume, shprehet në atë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur dhe duhet të zgjidhet në bisedime të drejtpërdrejta me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kjo është e papranueshme”, vlerësoi Tahiri.

03/24/2020 16:23

Thaçi: Fatkeqësisht, BE-ja po vazhdon ta diskriminojë Kosovën