Opinion

Zhgënjimi i Bajrush Morinës: Mos pritni se të hënën kthehet Shpresa (prej mërgimit) apo të lind Dita (pas perëndimit)

02/01/2020 10:09
nga:Bajrush Morina

Shkruan: Bajrush Morina

Të hënën edhe mund të votohet një qeveri, mund të bëhet një koalicion.

Koalicioni mes LDK-së e VV-së sic kanë qef me quajt këta të LDK-së apo koalicioni VV-LDK sic kërkojnë me cdo kusht ta quajnë këta të VV-së.
Koalicioni i Shpresës dhe i Ditës sic është quajtur!

Por a jeton ende Shpresa në Kosovë?
Jo!
Shpresa moti ka ikur prej Kosovës, Ka shkuar në Gjermani, në Zvicër, në Itali, në Francë e gjetiu anekend Evropës. Ajo (Shpresa e Kosovës) po jeton në “hajm” të azilit në Gjermani apo te motra, vëllau, nipi, tezja, daja apo halla. Jeton ilegalisht, punon ilegalisht dhe shpreson se një ditë të legalizohet qoftë me letra apo edhe me pare.

Rrugës së Shpresës është nisur edhe Shpresimi. Ky ka marrë vizë kroate apo slovene. Po punon për 5 euro orën në “gradilishte” në Dalmaci apo në një restoran në Kranj të Slovenisë. Trupin e ka në Kroaci apo në Sloveni por mendjen në Gjermani, Austri apo Zvicër.

Sa për Kosovën, Shpresa e Shpresimi moti ia kanë kthyer shpinën me zemër e me mendje. Vec po presin që të shpërngulen edhe me trup. Të shpërngulen njëherë e përgjithmonë.

Për një vizë, apo për një pasaportë gjermane, zvicerane, suedeze apo britanike heqin dorë prej shtetësisë së Kosovës me plot “loqken” e zemrës. Bile kur pajisen me pasaportë “të huaj” qajnë prej gëzimit! E puthin pasaportën “e huaj” dhe e ruajnë sa për kujtim pasaportën e Kosovës. E fshehin diku në një dollap ku nuk do ta shohin cdo ditë.

Cfarë dite bre!

Dita moti ka përfundu në Kosovë. E ka bo Zoti terr!

Phu, phu, phu, mos qoftë thënë prej gojës time: E kanë bo terr e zi, këta politikanët tanë, të majtë e të djathtë, të luftës e të paqës, të trimnisë e të hajnisë, të qytetit e të katundit… Krejt, të gjithë! Kush më shumë e kush më pak!

Paramendone ditën kur BE-ja do t’i heq vizat për popullin e Kosovës!
O Zot!

Lufthansa duhet të lëshojë në qarkullim linja charter, cdo dy orë. Prishtinë- Munih, Prishtinë-Bon, Prishtinë- Frankfurt…
Agjensitë e autobusave do të nisen si krushqit, njëri pas tjetrit!

Oj Shpresë, o Shpresim! Prit se erdhi Dita!
Cfarë dite bre!
As Shpresa as Shpresimi nuk do të ndijnë fare. Bile as kokën nuk do ta kthejnë prapa!
Ik bre, nuk ka shpresë më atje, as dita nuk zbardh më!

Ose, ose!
Paramendone sikur Granelli t’i thote Trumpit: Në këmbim të nënshkrimit të Marrëveshjes me Serbinë, hiqi vizat për “kosovarët”!
Haj Zoti e boftë hajr!

Shpresa e Shpresimi, me krejt familjen, me nanë e me babë….”O merre edhe gjyshen se Amerika ka pare boll! Ju jep pension pas moshës 65 vjecare. Nuk ka lidhje që nuk kanë jetu e punu në Amerikë!

Po gjyshja është në “kolicë!”
“O merre more merre ashtu në “kolicë”. Bjere deri në Aeroport se unë dal e marrë këtu në JFK.

Pas disa ditësh, Nju Jorku do të shkëlqejë prej pastërtisë.
Shpresa do të punojë punën e parë të cdo të ardhure në Amerikë: Pastrim nevojtoresh, riciklim bërllogu, largim “garbicash”.
Shpresimi mund “avansohet” në një pozitë interesante. Mund të marrë “titullin” DMD (Deputy minister for demolation! – Përkthene shqip cka i bjen!!!).

Nana ime e ka vec një djalë! Sa herë flas me telefon ajo më thotë: Rri atje djali jem! Rri se mirë je! Ti e din qysh e ke pas punën këtu. Kanë dashtë me të…(dhe nuk ai qet goja fjalën : me të vra!)….Pastaj hesht pak dhe vazhdon: Këtu janë hala ata, ku kanë me shku.. apo e sheh cka po bahet, e vrajtën policin e shkretë, atij tejtrit ia qorruan synin! Jo djali jem rri atje. Edhe mos u bon nervoz se ty të dhemb kryt!

Ende nuk kam vendos a me marrë edhe nanën në Amerikë! Baba ka pas qef shumë me pa Amerikën por ai shkoi në amshim, pa i thënë unë lamtumirë!

Koalicion i inatit dhe i zorit!

Koalicioni LDK-VV, alias VV-LDK është koalicion i inatit dhe i zorit.
Është nisur me inat dhe po bëhet me zor.
Prej inatit ndaj Hashimit, Kadrisë, Ramushit, Fatmirit e të tjerëvë. Për inat të PAN-it. Sepse këta (Shpresa dhe Dita) kanë premtuar se kur të vijnë në pushtet do ta kthejnë Shpresën (prej Mërgimit) dhe do ta zbardhin Ditën (prej territ).

Harrone!
Gjithëcka që bëhet për inat, ka një fund të keq.

Madje ne shqiptarët kemi një frazeologji më të kobshme të njerëzimit.
Ne themi: Për inat të resë (së keqe) më vdektë (djali im i mirë!)

O Zot, a ka mallkim më të madh se sa ky që shqiptarët ia bëjnë vetvetes!
E Hashimi, Kadria, Ramushi e Fatmiri bashkë me shumë të tjerë (ka edhe në LDK edhe në VV)…e kanë mallku ( jo cliru) këtë vend!

Njëhërë u gjuajtën, e tash po puthen!

Të hënën mbase mund të votohet një Qeveri, Qeveria e zorit!
Sepse LDK e VV, apo Albini e Isa mund te bashkohen me zor! Me pikë të zorit!
Më parë u gjuajtën me ve, me gazlotësjellës, me molotov.

Pastaj (për inat të PAN-it) u përafruan mes vete në Kuvend. Bile për pak sa nuk u bashkuan në një listë të përbashkët zgjedhore.
Ia falën njër-tjetrit të gjitha!
Një gjest sa fisnik aq edhe tradicional shqiptar. “Trim është ai që e shtrin dorën e pajtimit e jo ai që ia ngreh gishtin e krimit”. (Këtë frazë e kam lexuar moti, kur si student pata lexuar “fshehtas” romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demacit!)
Mirë boll!

Për disa jave u takuan, u morën vesh, por nuk nënshkruan!
Përë gati 3 muaj u shtyn si “buajt në zellë”, jo “unë e dua këtë, jo ti merre atë karrigë!
Ose si ata fëmijët e Kadaresë te romani “Kronikë në gur”. (Ti ma jep Cekosllovakinë, unë ta jap Poloninë…)
Dhe në fund…

Të hënën edhe mund të votohet një qeveri, mund të bëhet një koalicion.
Por ky koalicion do të bëhet prej inatit, prej zorit e jo për Shpresën dhe për Ditën!
Dhe kur koalicioni apo martesa bëhet me zor, pasardhësit mund të mbesin jetimë! Si fëmijët e qiftit të shkurorëzuar!

E Kosova ka shumë jetimë! Jetimë të krimeve të luftës e të pasluftës!
Të hënën edhe mund të votohet një qeveri, mund të bëhet një koalicion.
Koalicion për inat të Hashimit, Kadrisë, Ramushit, Fatmirit..
Koalicion prej zorit prej Isës e Albinit. alias prej Albinit e Isës!

P.S. I lutem Zotit që kjo parandjenjë e imja të jetë e gabuar! Do të jem njeriu më i lumtur në botë nëse do të demantoj vevteven dhe t’i kërkoj falje popullit tim në vendin tim! T’i kërkoj falje edhe Shpresës, edhe Ditës!