Opinion

Zgjedhjet lokale dhe „befasitë“

10/28/2017 17:17
nga:Luljeta Aliu

Shkruan: Luljeta Aliu

 

Për disa, rezultatet e zgjedhjeve lokale ishin befasuese. Ishte krijuar shpresa se pasqyra e njejtë e zgjedhjeve nacionale do të arritej edhe në zgjedhjet lokale.

Mirëpo ky kalkulim ka lënë jashtë konsideratës logjikën e ndryshme të votimit në këto dy palë zgjedhje. Mendoj se janë disa faktorë, që kanë ndikuar në përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve nacionale.

Fillimisht, për zgjedhjet lokale mobilizimi i votuesve është më i madh shkaku i numrit të lartë të kandidatëve, të cilët janë shumë më afër qytetarëve në komunat e tyre. Krahasuar me zgjedhjet nacionale të qershorit, ku kishim 1‘000 kandidatë, në këto zgjedhje lokale ishin 7‘000 kandidatë në garë.

Natyrisht se mobilizimi për të votuar është më i madh. Kandidatët kanë familjet, rrethin dhe klientët e tyre në po ato komuna, prandaj edhe është më lehtë t’i mobilizojnë për të votuar.

Performanca e kryetarit të komunës dhe asambleistëve ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, prandaj edhe dalja në zgjedhje lokale është zakonisht më e lartë, meqë janë interesat e përditshme dhe mirëqenia e komunitetit në pyetje.

Madje mund të ndodhë që edhe struktura e votuesve është një tjetër, në kuptimin që për zgjedhje lokale dalin të votojnë përkrahësit e një kandidati thuajse si tërësi, ndërsa po të njejtit nuk e kanë parë si të domosdoshme daljen në votime gjatë zgjedhjeve nacionale.

Një tjetër arsye pse u ndryshua renditja që kishim sipas zgjedhjeve nacionale është se kandidatët me mandat paraprak natyrisht veçse e kanë një strukturë të konsoliduar votuesish dhe kanë përvojë më të madhe në organizimin dhe mobilizimin e strukturës së tyre.

Poashtu në të shumtën e rasteve janë edhe më të popullarizuar. Në këto zgjedhje ishte sidomos LVV-je ajo, e cila pretendonte të dilte si subjekti i parë edhe në zgjedhjet lokale. Në qershor ky subjekt politik i kishte fituar 200‘135 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale ka rënë në 140‘000.

Si duket, LVV-ja nuk i kanë marrë parasysh këto dallime mes zgjedhjeve kur e shijonin dehjen e suksesit dhe ishin shumë të bindur në fitoren e tyre.

Aq të bindur saqë rrugës bënë gabime, të cilat votuesi i ndëshkoi menjëherë. Dhe kjo pikë na lidhë me faktorin tjetër vendimtar për gara politike: komunikimin.

Një kandidat politik ngritet dhe bie në sajë të aftësive të tij të komunikimit. Çfarë përfshin komunikimi? Përpos njohurive tematike, pra komptencave teknike, komunikimi përfshin edhe mënyrën e transmetimit të këtyre njohurive, gjuhën e trupit, interaktiviteti me qytetarët dhe shikuesit, dhe natyrisht, përmbajtjen e fjalimeve.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve nacionale është përmbajtur në këtë aspekt. Mirëpo gjatë zgjedhjeve lokale kishte raste ekzaltimi, të cilat i kushtuan disa vota. Për momentin po më kujtohen sidomos fjalimet e Albin Kurtit në Podujevë dhe në Gjilan.

Z. Kurti në Podujevë kishte thënë „pasha Musafin e pasha Kuranin do ta marrim Llapin“. Këtë mbase e ka bërë në zellin e tij për të rimuar fjalimet. Por ky ishte një nga elementet e fjalimit, i cili është përfolur shumë nga mediat dhe qytetarët, të cilët po i frikohen një rrëshqitjeje të pariparueshme të LVV-së në një diskurs dhe orientim fetar.

Në Gjilan, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në disa pika i referohet kandidatit të LDK-së dhe njëherit kryetar i komunës, Lutfi Hazirit, duke e kritikuar pamjen e tij dhe thotë,“ Lutfiu në vend të mendjes në kokë e ka gellin në flokë dhe në vend të zemrës e ka vathin“.

Z. Albin Kurti sipas të gjitha gjasave ka dashur ta relaksojë sallën me pak humor. Mirëpo kjo i ka kushtuar me vota. Nuk është me rëndësi as prejardhja e një politikani, as nacionaliteti i gruas së tij, as jeta e tij private, as në cilën parti ka qenë dhe me kë ka bashkëpunuar më herët, as saherë ka shkuar te mjeku. Besa, nuk është me rëndësi as etnia e tij dhe as orientimi i tij seksual.

Me rëndësi është performanca e tij politike dhe integriteti profesional. Prandaj janë shumë të dhe pavend dhe jo të rangut të politikanëve argumentet ad hominem. Ofendimet personale rreth flokeve apo vathëve janë të papranueshme.

Sidomos duhet të mendohet se rinia kosovare janë shumë „fashion-oriented“ dhe gelli e vathët nuk janë ndonjë gjë negative. Përpos ndoshta për një numër votuesish të LVV-së, të cilët edhe mund t’i quajnë „haram“.

07/28/2017 15:49

Aliu: Ky koalicion duhet ta formoj Qeverinë!