Opinion

Zgjedhjet dhe zgjedhësit

10/13/2017 15:09
nga:Hajredin Hyseni

Shkruan: Hajredin Hyseni

Këtë vit, qytetarët në vendin tonë brenda katër muajve do t’iu drejtohen kutive të votimit për të dytën herën. Fillimisht për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe tani më 22 tetor për zgjedhjet lokale.

Premtime, zotime, arsyetime për dështimet e atyre që kishin rastin të qeverisin deri sot, por edhe prezantime ambicioze të secilit që pretendon të marr pushtetin.

Kosova po ecë drejt pjekurisë demokratike, tetëmbëdhjetë vite pas lirimit nga okupimi serb dhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë. Një është e sigurt, qytetari ynë po dëshmon vazhdimisht pjekurin e të qenit zgjedhës. Të jesh zgjedhës është edhe përgjegjësi, sepse zgjedhja jonë është edhe gjithë ajo që do të korrim përgjatë një mandati. Andaj jemi përgjegjës që të zgjedhim më të mirën, më të drejtën dhe më të ndershmen.

Shumëçka në skenën tonë politike e shtetërore, tashmë është e njohur dhe lexuar. Andaj zgjedhësit duhet të vlerësojnë. Duhet të vlerësojnë nga faktet e drejta dhe jo nga mitet e krijuara me qëllim të mjegullimit të zhvillimit të proceseve te ne por edhe të prezantimit të personazheve politike në skenën tonë. E them me plotë bindje, dhe kisha dashur që të jem i kuptuar drejtë nga të gjithë, se para qytetarëve dal në kapacitetin e protagonistit politik si i nominuar i një formacioni të caktuar politik, por dua të theksoj gjithashtu faktin se dua të vlerësohem mbi të gjitha si individ me kredibilitet dhe integritet të formuar. Cilëndo anë ta hiqni nga prezantimi im, në këtë rast, nuk do ta keni vlerësimin e plotë. Këtë do të ishte mirë ta bëni me të gjithë ata që pretendojnë votën dhe besimin tuaj.

Roli dhe rëndësia e pushtetit komunal është bazike për shoqërinë tonë të organizuar, për shtetin tonë. Ajo që për shoqërinë është familja, komuna është për shtetin. Bërthama, qeliza, gjithçka në shtet fillon me të. Andaj edhe duhet ta trajtojmë me përgjegjësinë më të madhe, zgjedhësit dhe të zgjedhurit. Zgjedhësit të vlerësojnë drejtë ofertat dhe kandidatët, ndërsa të zgjedhurit të zgjidhin çështjet e komunitetit për ta dhe në dobinë e komunitetit.

Të gjitha komunat e vendit tonë kanë veçorit e tyre, që i karakterizojnë. Në veçanti, e ndoshta edhe më shumë se çdokush tjetër, zgjedhësit e Komunës së Podujevës duhet të bëjnë një skanim të gjendjes së tyre. Ata duhet të vlerësojnë drejt pushtetin dhe të gjitha zhvillimet në komunë. Në Podujevë që nga paslufta qeverisë e njëjta parti politike dhe e njëjta kastë politike. Nëse ata i përmbushën të gjitha pritjet e qytetarëve gjatë këtyre viteve, le të vazhdojnë t’i mbështesin. Por, nëse pritjet ishin krejt tjera nga ajo që ju ofrua dhe nëse edhe arritjet nuk ishin askund ato që ju premtuan, atëherë duhet të vlerësojmë se çka po zgjedhim.

Komuna jonë, megjithëse trashëgon kapacitete natyrore, gjeografike, humane, etj., që do t’i mundësonin një zhvillim normal ekonomik. Atë nuk e ka. Nëse kemi shpirtin e ndërmarrësisë dhe të punës, për çka nuk dyshoj, atëherë pse të mos e mbështesim atë? Pse të mos mbështesim të rinjtë ndërmarrës që kudo janë energjik, inovativ dhe me kapacitete të mëdha për zhvillim? Nëse kemi tokën në të cilën mund të kultivojmë kulturat, që tregu i pret kudo, pse nuk i punojmë ato. Pse nuk mbështesim fermerin tonë që të jetë zot i punës dhe prodhimit të vet. Në versionin më të keq, që ndoshta i shkon qeverisjes së deritashme në komunën tonë, pse i mbështesim matrapazët që luajnë me djersën e fermerëve të vyeshëm të komunës sonë. Konsideroj se këto duhet të jenë objekt i vlerësimit të zgjedhësit në komunën tonë. I vlerësimit për ata që kishin pushtetin dhe nuk bënë, ama asgjë, për të ndryshuar këtë gjendje.

 

Në kohën e fundit, vlerësimet e gjendjes dhe nivelit të arsimit te ne janë alarmante. Nuk besoj që ka nevojë të merrem këtu me argumentimin e rëndësisë dhe peshës që ka arsimi për çdo shoqëri. Besoj që këtë çdokush e di.

A thua kaq larg ka shkuar shpërqendrimi ynë sa nuk e vërejmë se ngecja jonë është edhe pasojë e nivelit të dijes apo mosdijes për mënyrën e zhvillimit të kapaciteteve tona mendore, për t’u aftësuar për jetë në kohën e sotme. Qytetarë të nderuar, a nuk ju tingëllojnë alarmante vlerësimet e nivelit të dijës për shkollimin para universitar në komunën tonë, që mezi kalon notën 2, në vlerësimin me notë nga 1 deri në 5. A nuk ju alarmon fakti që nxënësit nga komuna jonë kanë rezultate inferiore në raport me nxënësit që vijnë nga komunat tjera, në studime të larta. Dhe a nuk do të duhej kërkuar përgjegjësi nga qeverisja jonë komunale?! Pse qeverisjes sonë komunale i është bërë aq shumë e rëndësishme të rehatojë militantë të vet partiak e politik, duke ju dhënë ditarin e mësimit, shumë herë edhe me një gjysmë orari, e edhe më shumë pa kualifikimin dhe përgatitjen e duhur. Ata më militantët që dështojnë në mësimdhënie shpërblehen edhe me pozita të menaxhimit të shkollave, si drejtor. Problemet janë shumë praktike, mjafton të mos i mbyllim sytë dhe të kem vullnetin për t’u ballafaquar me to. Por a thua duhet t’ju besoni përsëri atyre që nuk bënë ama bashe asgjë për të ndryshuar këtë rrethanë në arsimin tonë.

Tashmë kam dëgjuar aq shumë rrëfime për shërbimet primare shëndetësore që ofrohen në komunën tonë. E di se kurrgjë më të mira nuk janë edhe në nivelet skondare e terciare në vendin tonë. Por një gjendje e keqe nuk e arsyeton tjetrën. Çka na mungon neve të kemi shërbime shëndetësore cilësore dhe të standardit të lartë?! A i kemi shfrytëzuar të gjitha kapacitete dhe resurset me të cilat disponojmë si Komunë?! Rrëfimet për rënien e plafonit në sallën ku po kryhej një intervenim i vogël kirurgjik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën tonë, apo ngarendja e pacientit nga Lluzhani në Podujevë e nga Podujeva në Prishtinë për të marr një shërbim elementar shëndetësorë, nuk do të duhej t’i shkojnë kohës sonë. Sepse është çështje e menaxhimit të resurseve, jo e mungesës së tyre. E kjo është çështje me të cilën duhet të merret drejtpërdrejt pushteti ynë komunal.

 

Edhe sa e sa tema tjera duhet t’i analizojë zgjedhësi i komunës sonë ditën që do të drejtohet te kutia e votimit. Infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza. Sidomos është skandaloze gjendja e derdhjes së kolektorëve të ujërave të zeza në lumenjtë e komunës sonë. A ka plan rregullativ komuna jonë? Në çfarë niveli është planifikimi urbanistik i vendbanimeve në komunën tonë?! Këto janë pyetje që qytetarët do të duhej t’i dinin nga një pushtet që po zgjatë tash e shtatëmbëdhjetë vite.

Kultura është gjithçka, që nuk ta ka dhënë natyra por e ke krijuar vet, thotë një përkufizim për kulturën. Por ka edhe një dimension shumë të rëndësishëm për kulturën. Është institucionalizimi i kulturës, apo përkujdesja institucionale për kulturën. Këtë para së gjithash në shoqëritë e organizuara e bëjnë institucionet shtetërore. Themelojnë struktura të organizuara që përkujdesën për të, ndajnë mjete dhe resurse për të mbështet kulturën. Këtë do të duhej ta bënte edhe pushteti jonë komunal. E nuk e ka bërë dhe nuk është duke e bërë. Ndoshta ma saktë edhe atë që e ka bërë, ma mirë të mos e kishte bërë, sepse e ka bërë përgjysmë. E sendet e lëna përgjysmë, janë më keq se ato që nuk i bëjmë fare. Kemi apo s’kemi teatër të qytetit? Kemi apo s’kemi bibliotekë me sallë të leximit? Kemi apo s’kemi muze komunal? Kemi apo s’kemi galeri të arteve? Kemi apo s’kemi shtëpi të kulturës? Kemi apo s’kemi kino-sallë (Në kuptimin e shfaqjes së filmave në të)? Dhe në fund fare, kemi apo s’kemi, bash hiq, kulturë, ne në komunën tonë?

Është gati morbid një diskutim i tillë, por morbide është edhe gjendja e kulturës në komunën tonë. Dhe kjo jo për mungesë kapacitetesh që do të mund të përmblidheshin në këto shtatëmbëdhjetë vite në komunën tonë. Është pasojë e mungesës së vullnetit dhe dijes për të menaxhuar dhe organizuar kapacitetet ekzistuese. Është një dështim i plotë i pushtetit komunal! Jemi vendi me popullsinë më të re në Evropë, pushteti lokal duhet të ofrojë lehtësira në punësimin dhe në mbështetje të iniciativave individuale? A mund të përkrahet sporti më shumë? Përgjigja është PO.

Të gjitha këto që thash, por edhe tjera probleme, kanë nevojë të trajtohen nga një pushtet i përgjegjshëm komunal, që ka vizion dhe që ka si pikësynim t’i krijoj qytetarit të këtij nën qielli jetë me dinjitet. Zgjedhësi i Komunës sonë duhet ta vlerësojë dhe ta mbështes atë ofertë që garanton dije, angazhim dhe përkushtim, për tu ballafaquar me të gjitha këto sfida!

Andaj, le të bëhemi zgjedhës në këto zgjedhje!

Hajredin Hyseni

Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës

10/22/2017 12:46

Hyseni: Kërkoj që deri në fund të ditës të jetë proces i qetë zgjedhor