Partitë politike kanë dorëzuar dje listat e kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në listat e tyre pati aderime të shumta të figurave të njohura nga muzika, sporti, shëndetësia e shoqëria civile.
Analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre se kush e ka listën më të mirë.
Analisti politik Visar Ymeri, thotë për Gazeta Blic se PDK e LDK shquhen për cilësi të kandidatëve dhe seriozitet në ofertën politike, programore dhe kuadrovike.
“Mendoj qe lista e PDK-së dhe LDK-së shquhen për nga cilësia e kandidatëve dhe serioziteti i këtyre dy partive në ofertën politike, programore dhe kuadrovike. Janë këto dy lista në të cilat nuk do të jetë e lehtë të përzgjidhen 10 kandidatë meqë ofrojnë shumë më shumë se kaq. E vlerësoj veçanërisht gërshetimin që ia kanë bërë përvojës politike me dimensionin e ekspertizës në fusha të rëndësishme të politikbërjes në Kosovë siç janë ekonomia e drejtësia, fusha këto në të cilat të dyja partitë garojnë me programe konkrete, të zbatueshme dhe të dobishme e të nevojshme për Kosovën. Po ashtu kemi edhe persona të rinj (jo për nga mosha por për nga angazhimi politik) në lista që kombinohen me kandidatët me përvojë e kontribut politik e partiak, që është e domosdoshme në një institucion si Kuvendi”, është shprehur ai.
Sa i përket aderimeve, Ymeri thotë se secili ka të drejtën të garojë e të zgjidhet, derisa shton se kandidatët duhet vlerësuar për përvojën dhe dijen.
“Secili e ka të drejtën të garojë e të zgjidhet. Në këtë drejtim nuk ka gjë të keqe në këto aderime. Natyrisht që popullariteti i personave i fituar në fusha të ndryshme ju konvenon partive politike për ta rritur votën. Megjithatë, mendoj që kandidatët për deputet duhen vlerësuar nga ato përvoja e dija të cilat janë të dobishme dhe i kontribuojnë cilësisë së debatit në Kuvend dhe përgjegjësisë legjislative që kanë deputetët, e jo për nga popullariteti”, ka vlerësuar analisti për Gazeta Blic.
Ymeri ka folur edhe për lënien jashtë liste nga VV të ministrit Liburn Aliu dhe zv/kryeministrit Besnik Bislimi.
Sipas tij, është interesant të dëgjohet arsyetimi zyrtar i partisë për mospërfshirjen e tyre në listë, por edhe të Luan Dalipit.
“Do të jetë shumë interesante të dëgjohet arsyetimi zyrtar i partisë për mos përfshirjen e Bislimit dhe Aliut në listë. Por edhe të Luan Dalipit, i cili si shef kabineti i Kurtit ka pasur një rol të rëndësishëm e pushtet të madh. Mendoj që në këtë drejtim moskandidimi i Liburn Aliut ka domethënie të madhe. Ai është një prej themeluesve të LVV dhe ka përvoja e karrierë të gjatë politike edhe para LVV-së. Prej se është bërë pjesë e qeverisë ka qenë e dukshme që Aliu ka pasur kritika dhe qasje të ndryshme prej Kurtit në disa çështje të rëndësishme. Mendoj që kjo mund t’i ketë kushtuar me mos kandidim. Ministria e Aliut është përfolur për një numër aferash të dyshimta korruptive. Por po të kishte qenë ky kriter faktor për moskandidim atëherë nuk do të duhej kandiduar as Faton Pecin, as Rozeta Hajdarin, as Hysen Durmishin, e shumë e shumë të tjerë. Rrjedhimisht mendoj që mos përfshirja e Liburnit në listë ka të bëjë më shumë me “mospërshtatshmërinë” e tij politike, apo thënë shkurt, mospërshtatshmërinë e tij me vijën e Kurtit”, ka deklaruar Visar Ymeri për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se LDK ka listën më të mirë zgjedhore, ndërsa që partitë kanë pasur aderimet më të dobëta ndonjëherë, me përjashtime të vogla.
“Lista më e mirë zgjedhore për zgjedhjet nacionale në Kosovë është ajo e LDK-së. Aderimet më të dobëta që kemi pasur ndonjëherë, me ndonjë përjashtim të vogël, njerëz që s’mbahen në mend për kurrfarë kontributi në shoqërinë e Kosovës”, është shprehur ai.
Sadiku ka komentuar dhe lënien jashtë listës të Liburn Aliut dhe Besnik Bislimit
“LVV mendoj se Liburnin e ka lënë jashtë liste sepse ka përçarje në degën e Qendrës së LVV-së, si dhe dyshohet se është duke u hetuar për korrupsion. Kurse Bislimi besoj ka kërkuar vet të mos jetë në listë zgjedhore, sepse s’do të dilte mirë dhe pas zgjedhjeve s’do të mund ta arsyetonte pozitën që e mban tani si Zv.kryeminstër, nëse po e zëmë s’do t’i merrte mbi 30.000 vota, kurse, nëse s’hyn në listë, e ka më të lehtë sepse aty do të emërohet si besuari Albinit, e jo me provën e votës”, ka deklaruar analisti Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/