Debat

Zgjedhje pa zgjidhje!

06/08/2017 16:09
nga:Petrit Musolli

Këto zgjedhje, nuk pritet me prodhue Qeverinë! Kanë me rezultue qëllimin e vetëm të synuem; konsolidimin e Kadri Veselit në parti, elektorat dhe skenën politike në përgjithësi. Edhe pse, jo me intensitetin e paramenduem! Në kalkulimin e tij, si duket, nji gja i ka shpëtue, parashikimi i mobilizimit e organizimit të përfaqësuesëve të elektoratit të LDK’së (Rugovës) në nji grupim politik.

Frustrimi i shfaqun, mundet me burue nga fakti se, ky organizim politik, i ka detyrue me u fut në ujënat, në të cilat PDK s’ka dashtë as s’mundet me notue. Notue me ata që sot ka ba koalicion! Distancimi i përfshimjes në debate së bashku me partnerët e koalicionit (argumentimi me kohë shtesë nëpër debate asht veç nji kamuflim i qëllimit të vërtetë) dhe shmangia e prezentimit të përbashkët në shumicën e tubimeve elektorale, ndoshta, janë veç indikacionet e para të parapërgatitjes së nji ‘exit strategjie’ nga ky partneritet mbas përfundimit të zgjedhjeve?!

Votat në këto zgjedhje, si duket, kanë me u shpërnda, thuejse, proporcionalisht mes tre garuesëve (grupimeve) kryesore, dy koalocioneve dhe Vetëvendosjes. Diferenca në përqindjen e votave ka me qenë pak e vërejtshme. Megjithatë, fituese pritet me dal koalicioni PDK-AAK-Nisma. Por, formimi i Qeverisë ka me u mvar ekskluzivisht prej minoriteteve. Kjo nënkupton futjen në lojë të amerikanëve tue përdorë partitë e minoriteteve si kartën e tyne me determinue fatin e Qeverisë së ardhshme.

S’ka asnji dyshim se tana minoritetet në Kosovë, mbështeten në garancitë e ndërkombëtarëve (amerikanëve në veçanti) ma parë se në ato të partive politike shqiptare. Edhe për serbët në Kosovë, të kontrolluem nga Beogradi, Qeveria e Serbisë komunikon me ndërkombëtarët për fatin e tyne në Kosovë, sesa me partitë politike shqiptare. Se si kanë me u pozicionue, në këtë rast, partitë e minoriteteve, ka me lanë me u kuptue edhe qëndrimi amerikan për Qeverinë e ardhshme! Në anën tjetër, Vetëvendosje, ka me qenë vija e kuqe e amerikanëve për të dyja koalicionet!

Pyetja që mbetet pezull asht ajo se çfarë Qeverie në Kosovë duen amerikanët?!

E vërteta asht se subjektet tona politike s’e kanë komoditetin me ndërtue Qeveri konform bindjeve dhe besimit të tyne, përderisa mbeten ende të papërmbylluna katër procese të ndjeshme e të kushtëzueme nga ndërkombëtarët; demarkacioni, Asociacioni, menaxhimi i situatës gjatë procesit të gjykimit në Gjykatën Speciale dhe, ma e randësishmja, pajtimi i nji marrëveshje me Serbinë, i derivuem nga dialogu! Forma e adresimit të këtyne çashtjeve ka me përcaktue edhe formatin e Qeverisë!

Kadri Veseli asht i vetëdijshëm për këte fakt, prandaj edhe asht lëshue me lehtësi në lojnat e tij politike tue kalkulue kohën ma të përshtatshme për me u fuqizue politikisht, i bindun se, në fund të fundit, janë ndërkombëtarët (amerikanët) ata që kanë me përcaktue fatin e Qeverisë së ardhshme, njashtu si herën e kalueme! Thanë shkurt, LDK s’ka ku i ikë! Mirëpo, dështimi i parashikimit të koalicionit të LDK’së e ka vnue në nji pozitë të pafavorshme negociuese për Qeverinë e ardhshme. Ai asht koshient se, përkundër koalicionit tjetër (LDK’së), përbamja e koalicionit të tij asht e papranueshme nga ndërkombëtarët (amerikanët), tue pas parasysh pozicionimin dhe rezistencën e partnerëve të tij, madje edhe me mjete dhune, ndaj çashtjeve të përmenduna! Mundësia e shpërbamjes asht ma reale sesa ajo e ekzistencës!

Në anën tjetër, LDK (me partnerët) asht në nji pozitë solide me i diktue kushtet e bashkëqeverisjes së ardhshme. Pamvarësisht se kanë me provue me e kundërshtue nji bashkëqeverisje të tillë, LDK ka me pasë të vështirë me i përballue nji presioni të intensifikuem ndërkombëtarë (amerikan), njashtu si nuk munden me i rezistue as vendet fqinje, Shqipnia e Maqedonia! Ndoshta, ajo që mundet me u arritë si kompromis me amerikanët për qeverisje me PDK’në, asht kushtëzimi i emnave për ministra.

Kabineti i ri qeveritar ka me qenë ekskluzivitet i kryeministrit (nga LDK), që nënkupton se PDK s’mundet me çue ministra pamvarësisht mospajtimit të kryeministrit, si ka ndodhë deri tash! Ky asht çmimi që PDK ka me pague për prishjen e marrëveshjes (të garantueme nga ambasadorja amerikane) pa marrëveshje! Si dhe, i mosparashikimit të riorganizimeve të reja politike. Megjithatë, simbas tana gjasave, kjo Qeveri, ka me u ndërtue, kryesisht, mbi eksperta të dikastereve përkatëse. Ka me qenë ma teknokratike! Kurse, në rrafshin politik, ka me shërbye si nji ‘koncensus’ i gjanë për tejkalimin e kontesteve dhe përmbylljen e proceseve delikate politike.

Nji Qeveri të tillë, këto zgjedhje s’munden me e prodhue! As s’janë të predispozueme me prodhue Qeveri! Asht veç nji faturë politike e financiare që kem me pague për ambicien e nevojën personale të nji politikani me u etablue në skenën politike! Nji Qeveri e tillë mundet me rezultue vetëm nga nji proces zgjedhor, në nji ambient të rikuperuem politik, në nji terren e kohë të përshtatshme për të dyja palët, për të dyja proceset zgjedhore.

04/28/2018 19:16

Konsensusi për konfuzitet!