Lajme

“Zëri juaj shpëton jetë”: Policia mbyll fushatën kundër dhunës me bazë gjinore

12/10/2025 18:33
nga:Genita C

Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi dhe Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, përfshirë shfaqjen e video-spotëve sensibilizues, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësive të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi institucional, ndërtesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Po ashtu, Policia ka apeluar që lufta kundër dhunës nuk kufizohet vetëm në 16 ditë, por është përgjegjësi e përditshme dhe përkushtim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Qytetarët inkurajohen që të raportojnë çdo rast dhune përmes numrit 192, linjës së veçantë 0800 19999, apo aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

“Zëri juaj shpëton jetë”, thuhet në mesazhin e Policisë së Kosovës.