Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për “BlicInterview” me Astrit Gashin, ka deklaruar se LDK ka qëndruar e bashkuar dhe parimore në qëndrimet e saj politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke mos lejuar asnjë devijim brenda grupit parlamentar, raporton GazetaBlic.
Ai tha se LDK ka ruajtur konsistencën dhe pjekurinë politike, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen për përpjekje për të ndikuar te deputetët e partive tjera përmes ofertave joshëse dhe presioneve të ndryshme.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç konsolidimit të numrave, është treguar me një konsistencë politike të qartë, jo inatçore, por shumë parimore. Asnjë deputet nuk ka pasur qëndrim ndryshe nga vendimet që janë marrë në fillim pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, theksoi Zemaj.
Ai shtoi se janë bërë përpjekje për të ndikuar në qëndrimet e deputetëve të LDK-së, por ato kanë dështuar.
“Ka pasë raportime për takime apo përpjekje për joshje, ndoshta edhe me oferta pozite apo financiare, por grupi parlamentar i LDK-së është treguar i pjekur dhe nuk i pranon ato”, u shpreh ai.
Zemaj akuzoi Vetëvendosjen duke thënë se është e njëjta parti siç thotë ai ka marrë deputetë të korruptuar dhe i kanë futur në Vetëvendosje.
“Ndoshta kanë tentuar sikur herën e kaluar që kanë marrë deputetë të korruptuar, të mafies së ndërtimit dhe i kanë futur në Vetëvendosje. Kjo tregon regresin e tyre politik dhe moral”, tha Zemaj.
Sipas tij, LDK nuk ka diskutuar për ndonjë ndryshim qëndrimi lidhur me proceset aktuale politike, pasi vendimet janë të qarta dhe në harmoni me qëndrimet e kryesisë dhe organeve të partisë.
“Tri herë, tri vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë treguar që është shkelur Kushtetuta për procedura kuvendore. Ne nuk kemi pasur asnjë debat për ndonjë lëvizje politike apo individuale të deputetëve”, deklaroi Zemaj.


