Lajme

Zemaj sërish paralajmëron gjoba për personat që nuk iu përmbahen rekomandimeve nga IKSHPK

06/29/2020 09:55
nga:A. R.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka ripërsëritur se do të ketë ndëshkime për të gjitha ata që nuk iu përmbahen rekomandimeve, shkruan Gazeta Blic.

Në një shkrim në rrjete sociale, ministri Zemaj, ka theksuar se nga kjo pandemi janë prekur edhe institucionet e shtetit, duke shtuar se ky fakt i ka hedhur poshtë idetë e “atyre që mendja iu punon për konspiracione dhe që pretendojnë se virusi nuk ekziston”

Shkrimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Armiku i padukshëm vazhdon ta kërcënon shëndetin tonë.
Disa qytetarë të Kosovës dhe mijëra persona në mbarë globin fatkeqësisht kanë humbur jetën.
Nga kjo pandemi së fundi janë prekur edhe institucionet kryesore të shtetit.
Kjo e hedh poshtë idenë e atyre që mendja iu punon për konspiracione dhe që pretendojnë se virusi nuk ekziston, ose e relativizojnë rrezikun e tij.
Kjo luftë po zhvillohet kryesisht në frontin e shëndetësisë.
I tërë personeli mjekësor në klinikat e QKUK dhe në spitalet rajonale është i mobilizuar maksimalisht.
Klinika Infektive në Prishtinë duhet përforcuar me kapacitete të reja.
Është detyrë e elitave intelektualëve, punëtorëve, burrave, grave, rinisë dhe gjyshërve, që të reflektojnë.
Kujdesuni për familjen dhe të dashurit!
Reduktoni kontaktet, që të evitohet përhapja e virusit!
Të mos paguajmë kosto të lartë. Sistemi ynë shëndetësor të mos mbingarkohet.
Respektoni udhëzimet e “Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”.
Për mosrespektuesit e udhëzimeve dhe shkelësit e rregullave do të ketë gjoba dhe ndëshkime sipas ligjit.