Lajme

Zemaj: Qytetarët e Kosovës duhet të marrin përgjigje pozitive për viza

10/30/2018 12:49
nga:A. R.

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të ushqehen me shpresa të rrejshme sa i përket liberalizimit të vizave. Që një dekadë, qytetarëve të Kosovës u premtohet nga krerët shtetëror se do ta gëzojnë lirinë e lëvizjes, dhe ky premtim nuk po realizohet as në vitin 2018, shkruan ‘Gazeta Blic’.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj për ‘Gazeta Blic’, tha që institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në maksimum që procesi i liberalizimit të vizave të marrë një vendim pozitiv.

“Çdo ditë nga njerëz të Qeverisë dëgjohen zëra të ndryshëm rreth procesit të liberalizimit të vizave, kjo është tregues i një mos-koordinimi total i çakorduar dhe i cili po krijon pasoja për proceset integruese. Mendoj se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, ministrive të linjës dhe Kuvendit të Kosovës që të punojnë që ky proces të marrë vendimin pozitiv, por me ketë logjikë të kësaj Qeverie e cila bënë edhe luftë dikasteresh për të marrë merita të pa merituara janë elemente që na largojnë nga data e liberalizimit të vizave”, ka thënë Armend Zemaj për ‘Gazeta Blic’.

Deputeti Zemaj, theksoi më tej se qëndrimi i tyre politik,  është që të ketë koordinim më efikas. Dhe, që pavarësisht ngjarjeve politike në vend, qytetarët e Kosovës duhet të marrin përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave.

“Qëndrimi jonë politik është që të ketë koordinim më efikas, pavarësisht aktualitetit politik në vend, qytetarët e Kosovës të marrin përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave. Kërkojmë që Qeveria ta ndërrojë këtë qasje e cila vetëm po krijon konfuzitet, imazh të keq dhe njëherë po tregojnë dobësi edhe karshi atyre që kanë mbështet dhe vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj Evropiane”, ka theksuar Zemaj.

 

Ndërkohë, ditë më parë, Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka  deklaruar  se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës.

“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë”, ka thënë ditë më parë Dhurata Hoxha.

Kurse,  në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel është bërë e ditur se janë më shumë se 10 shtete që e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën./Gazeta Blic./

11/12/2019 17:20

Skandaloze: Ka filluar shitja e biletave Kosovë – Angli në tregun e zi