Sporti

Zeka: Lojtarëve të larguar ju uroj suksese, së shpejti fillojmë transferimet

08/06/2020 14:12
nga:Lorik J

Trepça 89′, skuadra që shpëtoi në xhiron e fundit pa u larguar nga Superliga, duket se po kalon një lloj revolucioni para startit të sezonit 2020/21.

Skuadra nga Mitrovica shpëtoi nga rënia në Ligën e Parë, pasi në xhiron e fundit fitoi 2-1 ndaj Prishtinës, për të siguruar edhe matematikisht qëndrimin në Superligë, raporton GazetaBlic.

Gëzim Rusi, Leart Emini, Rron Statovci, Arbër Pira dhe Muharrem Jashari janë lojtarët që janë larguar edhe zyrtarisht nga skuadra e Trepçës 89′.

Presidenti i klubit, Abedin Zeka i ka uruar më të mirën lojtarëve që janë larguar, ndërsa theksoi se së shpejti klubi i tij do të fillojë me transferime.

“Largimet i keni parë, i uroj gjithë të mirat lojtarëve që nuk janë më pjesë e Trepçës 89′. Tani jemi duke punuar në afrime, jemi të fokusuar në talent të rinj – ndërsa sot kemi takim dhe do të shqyrtojmë transferimet”, tha fillimisht Zeka për ‘GazetaBlicSport’.

Ai më pas konfirmoi se do të flas me trajnerin në lidhje me transferimet.

“Do të ulemi të flasim me trajnerin dhe do të bëjmë disa transferime në pozitat e caktuara”, përfundoi ai.

/GazetaBlic