Engelbert Zefaj, profesor dhe ekspert i ekonomisë në EURO n’T7, ka thënë se problemi i furnizimit të rregullt me energji elektrike në vend është strategjik dhe si i tillë duhet edhe të trajtohet.
Fatkeqësisht, sipas Zefajt, ky problem i madh nuk po trajtohet si strategjik, por si problem politik dhe paaftësi e qeverisë aktuale për t’u marrë dhe për t’u bërë zgjidhje.
“Ne po e shohim që mungesa e energjisë elektrike po vjen si pasojë e mungesës së prodhimit të energjisë elektrike. Kjo qeveri shumë pak është kritikuar e gjykuar që nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, pastaj për ndaljen e projektit të ‘Kosovës së Re’, ku do të prodhoheshin 500 megavat-orë energji elektrike dhe kjo do të bënte një zgjidhje të qëndrueshme të furnizimit të rregullt me energji elektrike. Askush nuk po e merr përgjegjësinë për gjendjen e krijuar, a ne e dimë se përgjegjëse është kjo qeveri. Projekti në fjalë do të kushtonte pak më shumë se 1 miliard euro dhe tashmë do të kishte përfunduar dhe nuk do të kishim probleme me energji siç i kemi sot. Ne kemi importuar për pesë vite rreth 1 miliard euro energji elektrike; me këto mjete do të ndërtonim një termocentral të ri dhe do të harrohej problemi energjetik në vend”, ka thënë Zefaj.
Këto 1 miliard euro të shpenzuara për energji, sipas Zefajt, nuk janë shpenzuar vetëm për blerjen e energjisë; një pjesë e madhe e tyre është shpenzuar vetëm për bartjen e energjisë nga kompani me pronar Vuk Hamovic.
“Partia e cila po qeverisë me vendin po mundohet të arsyetohet se nuk ka blerë energji nga Serbia. Pak ka rëndësi kjo; rëndësi ka fakti që bartja e energjisë është bërë nga një kompani serbe, ku mbi 50% e mjeteve për bartje të energjisë kanë shkuar tek kjo kompani serbe. Është e çuditshme qysh Kosova nuk ka aplikuar asnjëherë për blerjen e hershme të këtyre linjave për transmision të energjisë; gjithmonë ia ka lejuar Vuk Hamovicit dhe palëve të treta që ta bëjnë një gjë të tillë, pastaj palët e treta të vijnë t’ia shesin Kosovës me çmime shumë të mëdha transportimin e energjisë elektrike”, ka shtuar Zefaj.


