Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë liston vendet që do të mbajnë zgjedhje, kërkon që të ndodhë e njëjta në Kosovë

05/25/2020 12:42
nga:Norë Kelmendi

Derisa Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me aktgjykim rreth cështjes së mandatarit për formimin e Qeverisë, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë se duhet të mbahen zgjedhjet dhe pandemia nuk është arsyetim që ato të mos ndodhin.

Kryeziu, duke përmendur disa vende që do të mbajnë zgjedhje muajve në vijim, thotë se deputetët duhet të mblidhën për ta shpërndarë Kuvendin.

Shkrimi i plotë i zëdhënësit të Qeverisë:

ARSYETIMI SE ZGJEDHJET NUK MUND TË MBAHEN SEPSE JEMI NË PANDEMI MË NUK QËNDRON

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga rasti i parë i konfirmuar me COVID-19, dhe saktësisht dy muaj që nga mocioni i mosbesimit. Që atëhere kemi 1,032 raste të regjistruara me virus prej të cilëve 75% tashmë janë të shëruara. Dje është shënuar dita e parë që nga 13 marsi që nuk kemi asnjë të infektuar. Vetëdija dhe përvoja e organizimit të veprimtarive të ndryshme në kohë pandemie po rritet, derisa masat po lirohen gradualisht.

Organizimi i zgjedhjeve është dëshmuar të jetë praktikisht i mundshëm edhe në këto rrethana për aq kohë sa merren masat sanitare të duhura, siç është përshkruar nga një video dje. Vullneti i qytetarëve për zgjedhje haptazi ekziston dhe neni 82.2 i Kushtetutës i parasheh ato. Andaj deputetët le të mblidhen në kuvend për ta shpërndarë atë vetëm për tu mbledhur prapë pas zgjedhjeve 2020. Vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng i interesave të disa deputetëve, vullneti i të cilëve është peng i kryetarëve të partive të tyre në radhë të parë.

Le të shkojmë në zgjedhje për tu çliruar të gjithë, dhe le të fillojmë me zgjedhjet lokale të parakohshme në Podujevë.

Shembuj që mund të ndiqen si në parim po ashtu edhe në praktikë të organizimit të zgjedhjeve kemi mjaftueshëm;

– Zgjedhjet Presidenciale në Islandë me 27 qershor

– Zgjedhjet Lokale në Francë me 28 qershor

– Zgjedhjet Nacionale në Kroaci me 5 korrik

– Zgjedhjet Rajonale në Spanjë me 12 korrik

Zgjedhjet janë parim i demokracisë dhe burim i legjitimitetit. Duart e ngritura të kuvendarëve le të ballafaqohen me votat e qytetarëve.