Opinion

Zëdhënësi i përjetshëm i luftës

11/09/2020 14:46
nga:Faik Krasniqi

Shkruan: Faik Krasniqi

Lufta po shtrihej gjithandej Kosovës dhe tanimë ishte e njohur, si për opinionin vendor, ashtu edhe për atë ndërkombëtar, se qindra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, u kishte sosur durimi dhe kishin kapur armët, për t’ia kthyer ato armikut.

Po afrohej mesi i vitit 1998 dhe pavarësisht figurave të luftëtarëve që lufta po i nxirrte në pah nëpër lokalitete të ndryshme, drejtuesit kryesorë të saj ende nuk ishin të njohur për publikun.

Paralajmërimi se UÇK-ja tani do të fliste nëpërmjet zëdhënësit të saj, përbënte jo vetëm lajmin e ditës, por një moment kthese në luftën çlirimtare dhe rrjedhën e saj.

Por kush mund të ishte ky njeri?

Në ekranin e televizorit po shfaqej një mesoburrë, me uniformë ushtarake, me stemën e UÇK-së në sup e në kapelë, me dy luftëtarë të armatosur prapa, me flamurin kombëtar dhe figurën e Skënderbeut në prapavijë.

S’kishte si të mos ishte emocionale kjo pamje për mua, duke më kthyer dekada pas, në Shkollën Normale në Prishtinë…

*

Me Jakup Krasniqin ishim shokë klase. Të dy, si shumica e shokëve e shoqeve, vinim nga fshati, por nga lokalitete të ndryshme të Kosovës.

Si nxënës i vitit/klasës së parë, Jakupi shpejt e kaloi ndrojtjen e të qenit djalë fshati dhe filloi të mbizotëronte në klasë. Këtë status ai e fitoi me inteligjencën e lartë dhe përgatitjen e përhershme që kishte. Kur ne ngecnim në ndonjë përgjigje para profesorëve, ishte ai që jepte përgjigjen e saktë dhe na nxirrte nga situata.

Kur diplomuam, të rritur e më të pjekur, asnjëri nga ne nuk ishte i kënaqur me pozitën politike dhe nivelin e zhvillimit ekonomik që Kosova kishte në Jugosllavinë e Titos. Andaj, të gjithë kishim qëllime për t’u angazhuar për ndryshime shoqërore e të statusit kombëtar të shqiptarëve. Por, nga mesi ynë, u dalluan Jakup Krasniqi e Gani Sylaj, veprimtaria atdhetare e të cilëve kaloi në përmasa kombëtare.

*

Jo rastësisht ishte zgjedhur Jakup Krasniqi për të përçuar anekënd globit zërin e luftës çlirimtare. UÇK-ja nuk mund të fliste me tjetër zë, përveç me atë të normalistit të zellshëm të Prishtinës, të mësuesit e historianit, të veprimtarit të lëvizjes klandestine e të burgosurit politik, burrit të brumosur me parimet më të larta morale të luftëtarit çlirimtar e të pasardhësit të denjë të drejtuesve të kryengritjeve të mëdha shqiptare ndër shekuj.

Për një shok klase dhe njohësi të virtyteve që mbrujnë personalitetin e Jakup Krasniqit, s’ka si të mos jenë irituese skenat e operacioneve policore të bastisjes si ato të para disa ditëve në Prishtinë dhe Negroc.

Burgosja e tij në perandorinë serbo-sllave, siç e quante atëherë ai Jugosllavinë, na pati indinjuar shumë, megjithatë, atëbotë ishim të përgatitur për çdo kualifikim që mund t’i bëhej nga pushteti – të tilla që rëndom bëjnë pushtuesit mbi veprimtarët atdhedashës.

Por, operacionet e ditëve të fundit, për ne, shokët e tij, ishin dhe janë të papranueshme.

Duke parë që gjuetia ndaj figurave qendrore të UÇK-së filloi pikërisht me zëdhënësin e saj dhe po vazhdon pothuajse me gjithë shtabin drejtues, s’ka si të të mos vejë mendja se ky projekt, para se “të vejë drejtësi”, mëton të poshtërojë luftën dhe vlerat e saj.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë të paraqitjes së Jakup Krasniqit në Hagë vite më parë: sa i urtë e i pjekur politikisht, po aq i pakompromis në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit shqiptar. Jam i bindur se i tillë do të jetë edhe tani. Sepse, Jakup Krasniqi s’mund të jetë ndryshe. I tillë kishte qenë edhe në vitin 1982, në sallën e gjyqit jugosllav në Prishtinë.

Thuhej se në atë kohë, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Negroc, organet policore e të hetuesisë i kishin gjetur dy pushkë.

Ai po akuzohej për propagandë armiqësore, bashkim për veprimtari armiqësore dhe kundërrevolucion. Me një fjalë, për veprime kundër Jugosllavisë, me synimin për ta shkatërruar atë. Dhe si “dëshmi” e kësaj, ishin dy pushkët e konfiskuara në shtëpinë e tij.

“Çfarë perandorie vallë na qenka kjo, që po u shkatërroka me dy pushkë?”, u ishte përgjigjur me pyetje ironike gjykatësve e prokurorëve.

Paskësh qenë e thënë që Jakup Krasniqi të jetë serish njëri ndër protagonistët kryesorë mbi të cilin do të bjerë barra e madhe e përgjegjësisë për ta mbrojtur dhe lartësuar luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së, të cilën, në këto 20 vjet, të gjithë ne, as nuk e nderuam, as nuk e mbrojtëm, dhe as nuk e lartësuam sa duhet.

Jakup Krasniqi do të mbetet zëdhënësi i përjetshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. Ai ishte dhe do të mbetet zëdhënësi i aspiratave kombëtare të shqiptarëve në dekada.

Thonë se njerëzit kanë dëshirë të rrinë nën hijen e mirë. Edhe ne shokët e shoqet e klasës së pestë/një, të Normales së dikurshme, kemi qenë dhe jemi krenarë me veprimtarinë atdhetare të Jakup Krasniqit dhe Gani Sylajt.

11/19/2018 17:58

A mendon që je politikani më i mirë që ka pas Kosova? Përgjigja e kryeministrit është epike!