Sporti

Ylli i Kombëtares shqiptare ëndërron të luajë në Premierligë

04/06/2020 23:39
nga:Lorik J

Ëndrra e Klaus Gjasulës është të luajë në Premierligë

Iu bashkua Kombëtares Shqiptare një vit më parë, Klaus Gjasula rezultoi një zbulim, pasi bindi që në paraqitjen e parë dhe arriti të shndërrohet në një titullar fiks në formacionin e Edi Rejës.

Aktualisht pjesë e Paderbornit në Bundesligën e dytë gjermane, mesfushori kryeqytetas në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në Supersport, foli për ditët pa futboll dhe planet për të ardhmen.

Ai tha se dëshira e tij është që një ditë të luajë në Premierligë, por ëndrra po shkon duke u shuar pasi tashmë është 30 vjeçar.

Në cilin kampionat mendoni se përshtateni më mirë?

Me stilin që kam, e shikoj më shumë veten në Angli sesa në Gjermani. Nëse do ndodhte të kaloja aty është shumë bukur, do të ishte shumë bukur, më pëlqen shumë të luaj aty.

Si jeni ndjerë këtë sezon te Paderborn, në Bundesligë?

Të luash në Bundesligë ka qenë një ëndërr për mua që i vogël. Është diçka shumë e bukur, që edhe lojtarët që vijnë nga një kategori më poshtë mund t’ia dalë edhe në Bundesligë.

A mund ta gjente veten Klaus Gjasula te Dortmundi?

Unë jam realist dhe është e vështirë që të luaj për Dortmundin në sezonin e ardhshëm. Do ishte bukur të luaja për Hertan e Berlinin, por nuk e di se çfarë do ndodhë në të ardhmen.

Si po shkojnë ditët e izolimit?

Sot filluam stërvitjen e parë në fushë, me një grup me nga 6 lojtarë. Të distancuar nga njëri-tjetri dhe kryejmë ushtrimet. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe shumë shpejt të zbresim në fushë për ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Mesfushori i Shqipërisë ndër të tjera tregoi se kanë nisur stërvitjet, por të ndarë në grupe grupe, për shkak të koronavirusit që ka paralizuar botën.

Gjasula ka bërë këtë edicion 27 paraqitje për Paderbornin, ka shënuar 1 gol.