Emocionet e Kampionatit Evropian Euro 2024 janë çdo ditë e më afër.
Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse për herë të dytë në histori të saj si Kombëtare në Kampionate Evropiane dhe do të kenë punë të vështirë në fazën e grupeve aty ku në grupin që është cilësuar si “i vdekjes” do të ballafaqohet me skuadra si, Spanja, Italia dhe Kroacia.
Trajneri Sylvinho sot me fillim nga ora 16:00 pritet të publikojë listën me emrat e lojtarëve që do të përfaqësojnë “Kuqezinjtë” në “Euro 2024” në Gjermani.
Komentatori dhe gazetari i sportit nga Shqipëria, Ylli Aga ka folur për GazetaBlic Sport ku ka analizuar mundësitë e Shqipërisë në grupin B.
Sipas tij Shqipëria nuk është favorite në këtë grup, por e cilëson Italinë si kundërshtar potencial për t’i rrëmbyer pikë.
“Për Shqipërinë është e rëndësishme që do të jetë pjesëmarrëse në garën më të rëndësishme futbollistike të kontinentit. Për më tepër, me statusin e fitueses së një grupi me kundërshtarë me traditë si Çekia dhe Polonia. Konkurrimi në fazën finale është një mision i vështirë, kundër Italisë dhe Spanjës, kampionë Europe dhe Bote, dhe Kroacisë ndër më të mirat në kompeticionet e fundit. Marrë në konsideratë vlerat e secilës, kuqezinjtë nuk nisen si favoritë në asnjë prej këtyre dueleve, por me entuziasmin që të jep ky event, harmoninë në skuadër, mbështetjen maksimale të tifozëve, kam besim se mund të bëjmë ndeshje dinjitoze. Ndaj Italisë kemi shanset tona për të marrë minimalisht një pikë“, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.
Ai potencoi se Shqipëria do të jetë një ‘rezistencë e fortë‘ për tre kundërshtarët si Italia, Spanja dhe Kroacia.
“Ndeshjet kualifikuese ishin një test i rëndësishëm për cilësinë dhe forcën e kuqezinjve tanë. Insistoj se Shqipëria nuk niset si favorite në asnjë ndeshje në këtë europian, por kjo nuk do të na pengojë t’i luajmë të gjitha shanset. Skuadra ka dëshmuar pjekuri, është solide në fazën mbrojtëse, ka një drejtim teknik shumë të mirë dhe futbollistë që do ta shfrytëzojnë këtë europian si një vitrinë për të rritur vlerën e ekipit tonë kombëtar dhe të tyren. Italia, Kroacia dhe Spanja kanë shumëçka më shumë se Kombëtarja jonë, por për të respektuar parashikimet, do të hasin në një rezistencë maksimale“, shtoi Aga.
“Shqipëria ishte e pafat në momentin e shortit, teksa e vendosi në grupin më të vështirë dhe kualifikimi, sipas logjikës sportive, traditës dhe vlerës aktuale të skuadrave në treg, duket një mision i pamundur. Megjithatë, ky sport të jep mundësinë të përballesh me gjigantë të futbollit botëror, me besim për të marrë rezultate pozitive. Kualifikimin e dëshiroj pafundësisht, por do të isha i kënaqur edhe nëse largohemi dinjitoz nga ky event madhështor. Ruaj ende, si kujtimin më të bukur, konkurrimin e Shqipërisë në Francë 2016 dhe dua shumë që në Gjermani, stadiumet, rrugët dhe sheshet të mbajnë peshën, entuziazmin, kulturën dhe traditat tona më të mira“, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.