Komentatori i njohur shqiptar, Ylli Aga poashtu komentoi ‘debatin’ e ditëve të fundit të lindur pas kritikave për trajnerin Ilir Daja të cilat i nxori në pah trajneri shqiptar pas fitores ndaj BATE.
Aga thotë se ky debat i shkaktuar kohët e fundit është i pavend dhe nëse nuk bëhet për klikime, atëherë është varfëri e madhe prej atyre që hapin të tilla debate.
“E konsideroj të pavend debatin për trajnerin Ilir Daja. E para, për kohën në të cilën zhvillohet. Çdo kush në profesionin tonë e di, se për të tilla vlerësime ka një periudhë të caktuar kohohe që bëhen, fundi i një sezoni apo viti kalendarik, ku edhe jepen çmimet përkatëse. E dyta, nëse nuk është ndonjë strategji (të cilën do ta justifikoja për kohën që jetojmë) për të tërhequr sa më shumë klikime në rrjet dhe një guxim i tepruar prej specialistëve që artikulojnë kritika jo-thelbësore, më duket varfëri e madhe e atyre që hapin të tilla debate, kur në këtë fazë mund ta orientonin publikun drejt temave me karakter teknik dhe organizativ”, tha Aga për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas komentatorit, Ilir Daja momentalisht është trajneri më i mirë mbarëshqiptar dhe këtë e tregojnë rezultatet.
“E treta, po Ilir Daja është sot për sot trajneri më i mirë në hapësirën mbarëshqiptare. Me siguri, dje ka qenë dikush tjetër dhe nesër me shumë mundësi do të kemi një emër të ri, por sot më i miri është trajneri aktual i Ballkanit. Nëse dikush tjetër mendon apo ka një bindje të ndryshme është plotësisht i respektuar dhe i mirëkuptuar, por jo ti dredhojnë një pyetje kaq të drejtpërdrejtë. Nëse duan të jenë të ndershëm me bindjet e tyre dhe opinion sportive, duhet të japin një përgjigje, nëse nuk është Ilir Daja më i miri i momentit, janë të lutur të thonë një emër tjetër, që ata e mendojnë se po bën më mirë në këto moment. Për të justifikuar bindjen time, po ju dërgoj disa statistika, që besoj ndihmojnë opinionin në këtë debat, për të krijuar një ide më të qartë”, përfundoi Aga.
/GazetaBlic Sport