Skuadrat shqiptare janë afër kualifikimit në grupet e Conference League pasi kanë arritur në fazën Play Off të kësaj gare. Partizani dhe Struga megjithatë pësuan humbje në ndeshjet e para ndaj Astanas respektivisht Breidablik, kurse Ballkani fitoi në “Fadil Vokrri” me rezultat bindës 4-1 ndaj BATE Borisov.
Gazetari i njohur shqiptar, Ylli Aga ka komentuar për “GazetaBlic Sport” rrugëtimin e skuadrave shqiptare deri në këtë fazë duke thënë se është arritje e jashtëzakonshme përfaqësimi kaq i madh i shqiptarëve në gara evropiane.
“Fillimisht, më duhet të nënvizoj faktin, se pjesmarrja me 11 klube në garat e europiane është një arritje shumë e madhe për të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, promovim i vlerave tona më të mira, por edhe dëshmi e një pune, investimi dhe rritjes së profesionalizmit në këto klube. Përsa i takon rezultateve, më duhet të theksoj se kam mbetur i zhgënjyer nga eleminimet në xhiron e parë të Shkëndijës së Tetovës dhe Vllaznisë, por nga ana tjetër është diçka fantastike të shohësh tre skuadra shqiptare në konkurim në fazën play-off në një kompeticioni europian dhe besoj shumë se Ballkani, Partizani dhe Struga i kanë mundësitë për të siguruar një biletë në fazën e grupeve”, tha fillimisht ai.
Ylli Aga tha se beson se Struga dhe Partizani mund të rikthejnë rezultatin dhe të kualifikohen tutje pavarësisht se kjo do të jetë një mision tejet i vështirë.
“Strugën pata mundësinë ta ndiqja live, ndërsa për Partizanin krijova një opinion nga highlighset dhe komunikimet me protagonist të ndeshjes. Pavarësisht humbjeve me të njëjtin rezultat 1-0, kam shumë shpresë dhe dëshirë që të realizojnë përmbysje në ndeshjet e kthimit. Do të jetë një sipërmarrje mjaft e vështirë, pasi Struga do të vuaj mungesa të rëndësishme dhe luan jashtë, ndërsa Partizani do të duhet të luaj ndeshjen perfekte dhe të kenë mbështetjen maksimale të tifozerisë përballë një kundërshtarë me eksperiencë në garat e europiane.”, shtoi Aga për “GazetaBlic Sport”.
Sipas tij Ballkani është aktualisht “kampion” i futbollit mbarëshqiptar duke cilësuar se skuadra nga Suhareka praktikisht ka siguruar grupet edhe për këtë edicion.
“Ballkani praktikisht e ka siguruar kualifikimin. Vetem arsye ekstra-sportive mund të bëjnë që të ndodhë e kundërta. Ecuria e skuadrës nga Suhareka në të dy sezonet në kupat e Europës, rezultatet e arritura, kompatësia e grupit dhe llogjika e 90-të minutave ndaj Bates janë garancia për të mbrojtur kualifikimin. Ndërsa, nëse Ballkani është skuadra më e mirë shqiptare, një gjë e tillë do të duhej provuar në një Ligë Mbarëshqiptare, të cilën dëshiroj shumë të bëhet e mundur në një kohë sa më të shkurtër, por personalisht, siç e kam theksuar në cdo komunikim publik, klubi nga Suhareka është aktualisht “kampioni” i futbollit mbarëshqiptar”, vazhdoi ai.
Ylli Aga poashtu komentoi ‘debatin’ e ditëve të fundit të lindur pas kritikave për trajnerin Ilir Daja të cilat i nxori në pah trajneri shqiptar pas fitores ndaj BATE.
“E konsideroj të pavend debatin për trajnerin Ilir Daja. E para, për kohën në të cilën zhvillohet.Çdo kush në profesionin tonë e di, se për të tilla vlerësime ka një periudhë të caktuar kohohe që bëhen, fundi i një sezoni apo viti kalendarik, ku edhe jepen cmimet përkatëse. E dyta, nëse nuk është ndonjë strategji (të cilën do ta justifikoja për kohën që jetojmë) për të tërhequr sa më shumë klikime në rrjet dhe një guxim i tepruar prej specialistëve që artikulojnë kritika jo-thelbësore, më duket varfëri e madhe e atyre që hapin të tilla debate, kur në këtë fazë mund ta orientonin publikun drejt temave me karakter teknik dhe organizativ.
E treta, po Ilir Daja është sot për sot trajneri më i mirë në hapësirën mbarëshqiptare. Me siguri, dje ka qenë dikush tjetër dhe nesër me shumë mundësi do të kemi një emër të ri, por sot më i miri është trajneri aktual i Ballkanit. Nëse dikush tjetër mendon apo ka një bindje të ndryshme është plotësisht i respektuar dhe i mirëkuptuar, por jo ti dredhojnë një pyetje kaq të drejtpërdrejtë. Nëse duan të jenë të ndershëm me bindjet e tyre dhe opinion sportive, duhet të japin një përgjigje, nëse nuk është Ilir Daja më i miri i momentit, janë të lutur të thonë një emër tjetër, që ata e mendojnë se po bën më mirë në këto moment. Për të justifikuar bindjen time, po ju dërgoj disa statistika, që besoj ndihmojnë opinionin në këtë debat, për të krijuar një ide më të qartë”, përfundoi Aga për “GazetaBlic Sport”.
Më poshtë keni justifikimin e Ylli Agës për opionionin e tij në lidhje me Ilir Dajën, që i thotë të gjitha:
Ilir Daja në Kupat e Europës:
41 Ndeshje
20 Fitore
7 Barazime
14 Humbje
Dy herë pjesmarrës në fazën e grupeve:
Skënderbeun në Europa League 2017-18 dhe Ballkanin 2022-23.
10 fitore në kualifikimet në Kupat e Europës:
Saint Julia, Kairat, Mlada Boleslav, DInamo Zagreb, Sfantul Gheorge, La Fiorita,KI,Shkupi,Larne, Lincoln.
4 Eleminime në Kupat e Europës:
Ekranas, Basel, Zalgiris, Ludogorets