Qëndrimi i Xavit në pankinën e Barcelonës mund të ndryshojë edhe merkaton italiane.
Në veçanti, të ardhmen e Khvicha Kvaratskhelias, gjeorgjian i Napolit, të cilin trajneri i Barçës e pëlqen shumë. Mjafton kaq për ta vënë atë në pikëpyetje, duke pasur parasysh që negociata e rinovimit me Napolin nuk ka avancuar.
Mund të ketë zhvillime të reja javën e ardhshme. Sipas asaj që raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Mamuka Jugeli, menaxher i Kvaratskhelias, pritet të mbërrijë në Itali. Arsyeja kryesore e udhëtimit mësohet se është një takim me Aurelio De Laurentiisin për të diskutuar të ardhmen e klientit të tij.
Kontrata që lidh Kvaran me Napolin skadon në vitin 2027, prandaj ADL deri më tani nuk ka dashur të dëgjojë arsyet për mundësinë e një zgjatjeje. Megjithatë, rezultatet në fushë e shtynë gjeorgjianin, i cili fiton 1.5 milionë euro në sezon (një nga pagat më të ulëta në Napoli) të kërkojë një rregullim të pagës.
Në këtë kuadër, nëse Xavi jep miratimin për blerjen e Kvaras, mund të prishen letrat në tavolinë. Muaji maj do të jetë vendimtar për të kuptuar të ardhmen.