Opinion

VVjosa

06/22/2020 14:38
nga:Shkodran Hoti

Aduhet të na shqetësojnë aq shumë aventurat politike të zonjës Vjosa Osmani? Pse ecejaket e saj politike duhet të bëhen shkas që të flasim për koncepte të mëdha? Pse duhet që midis pandemisë të ngarkohemi me kaq shumë patetizëm e hipokrizi? Nuk do t’ia dalim dot që t’ia shuajmë etjen për pushtet as Vjosës e as politikanëve të tjerë. Pse kaq shumë zhurmë për një politikane populiste? Ju lutem, mbani distancë nga populistët

Shkruan: Shkodran Hoti

Edhe debati rreth shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat në LDK, u zhvillua në mënyrë të përçudnuar. Me shumë të pavërteta, me doza të larta patetizmi dhe përplot me hipokrizi, të shumtë ishin ata që i dolën në mbrojtje. Kryeparlamentarja u shndërrua për ca kohë në simbol të rugovizmit, feminizmit, demokracisë, luftës për drejtësi, mendimit ndryshe, guximit, shpresës dhe shumë virtyteve të larta. Aq sa edhe një mendje racionale, po të mos kishte njohuri për skenën politike në vend, do të lajthitej, duke besuar se më të vërtetë ajo është modeli i politikanit që i duhet këtij vendi.

Në këto rrethana, secila kritikë për Vjosa Osmanin nuk është e lehtë. Çdo fjalë kundër saj do të thotë ballafaqim me një turmë që politikën e sheh me sy religjioz, dhe “profetët” që i adhuron, i ndërron çdo dhjetë vite. Një situatë e ngjashme sikur ajo për të cilën fliste dikur Fan S. Noli, në Parlamentin e Shqipërisë, kur trajtonte konfuzionin e pesë anarkive. Sonte fle si hero, nesër zgjohesh si tradhëtar – nëse duam të shprehemi në stilin e tij.

Duket se edhe Vjosa një ditë e ka zënë gjumi si njërën nga anëtaret e LDK’së, e të nesërmen është zgjuar si dishepull i Ibrahim Rugovës. Duket se turma tanimë është e bindur se ajo është bërthama e LDK’së dhe truri i saj. Madje, disa nga ta besojnë se edhe ekzistenca e partisë më të vjetër në vend varet nga fakti se a qëndron Vjosa Osmani pjesë e kësaj partie apo jo. Dhe këto pretendime, më së buti do të mund të quhen idiotësira.

Vjosa Osmani përgjatë gjithë karrierës së saj politike, nuk mbahet mend më shumë sesa një zë histerik kundër Hashim Thaçit. Një model i politikanit i krijuar falë ekzistencës së një politikani tjetër, duke mos paraqitur asnjëherë ndonjë alternativë që shkon përtej frazave boshe si “do ta ndalim të keqen” apo “do ta çkapim shtetin”. Politikane që ambiciet e saj karrieriste e kanë bërë të lundrojë fillimisht në varkën e Fatmir Sejdiut; më pas në varkën e Isa Mustafës, duke e ndihmuar ta përmbysë varkën e Sejdiut; e, së fundi, në varkën e një deti tjetër politik, atë të Albin Kurtit, kundër Isa Mustafës dhe partisë së saj. Por, asnjëherë në një varkë që është e saj.

Edhe si e tillë, ajo arriti të mahnitë turmat. E presionit të këtyre të fundit iu dorëzua edhe LDK, duke ia besuar kanditaturën për kryeministre. Ani pse LDK brenda vetes ka plot emra që përveç më meritorë, në çdo drejtim janë më të mirë se Vjosa për këtë pozitë. Dhe ky ishte një gabim i LDK’së, e cila një vend që do të duhej t’i takonte Kujtim Shalës, ia rezervuan asaj. Në fund, duke bërë kopjen e dobët të Albin Kurtit dhe me arrogancën e saj humbet zgjedhjet, e më pas dështimin e saj tenton ta mbulojë duke hyrë nën sqetullën e këtij të fundit.

Që nga telashet e para të koalicionit jetëshkurtër VV-LDK, ajo fillimisht zgjodhi heshtjen, dhe në asnjë moment të vetëm nuk gjeti kurajën për t’i kritikuar veprimet e Kurtit, disa nga të cilat shkelën marrëveshjen e koalicionit. Kur filloi të fliste, filloi t’i kritikonte bashkëpartiakët e saj. U pozicionua në krahun e Kurtit edhe kur u kontestua dekreti që i jepte të drejtë partisë së saj për ta formuar qeverinë, e qeverinë e partisë së saj përveç se nuk e votoi, e kritikoi më ashpër se kundërshtari më i hershëm i LDK’së, PDK’ja. Teksa afërsinë me Kurtin zgjodhi ta tregonte edhe përmes metaforave të llojit që dikur i përdorte ish-deputeti i PDK’së, Halit Krasniqi, me zogj e male. Mungonte vetëm edhe emrin e saj ta shkruante VVjosa.

Gjitha këto LDK i duroi. I duruan edhe bërtimat e saj histerike në Kuvend, sikur atë ditë kur ia ndali fjalën deputetit (tash zv/kryeministër) Driton Selmanaj. E edhe fjalimet e saj patetike, ku injoronte përshendetjen ndaj kryeministrit Avdullah Hoti. Nuk e përjashtuan. Nuk e linçuan. Nuk e akuzuan për asgjë. Vetëm e shkarkuan nga dy pozita partiake. E shkarkuan sepse në pozita partiake vendosen njerëzit që i përfaqësojnë qëndrimet e partisë. Vjosa Osmani tash e sa kohë më shumë po i përfaqësonte qëndrimet e një partie tjetër. E madje edhe përkundër partisë së saj.

Dhe pas këtij veprimi, shpërtheu lava e patetizmit dhe hipokrizisë. Dikush po fliste për “frymë rugoviane”. Një tjetër po e përshkruante gjithë këtë betejë politike si luftë të një grumbulli burrash ndaj një gruaje. Kishte edhe të atillë që e vulosën se Kosova është një shtet që nuk i duron gratë. E nuk munguan edhe ata që paralajmëronin zhdukjen e LDK’së. Marrëzira hesapi!

Duket se ata që flisnin për frymë rugoviane, njëmend nuk e kanë idene se për çka flasin. Nëse dikush pretendon se përplasjet e tilla brendapartiake janë vetëm të LDK’së së sotme, ose është mashtrues ose nuk ka fare memorie politike. LDK prej se ekziston, edhe në kohën e saj të artë, është përballur me situate të tilla. Madje të shumtë janë edhe ata që e kanë braktisur partinë, përfshirë edhe themelues të saj, njerëz shumë me të rëndësishëm e më të dobishëm së Vjosa. Në vitin 1998, kur Rugova drejtonte partinë, nënkryetari i atëhershëm i LDK’së, Hydajet Hyseni, dhe një grup veprimtarësh, përveç se e kishin braktisur partinë, kishin themeluar edhe Lidhjen e Re Demokratike të Kosovës. Më pas nga LDK doli edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë me në krye Nexhat Dacin, pas vdekjes së Rugovës. LDK nuk u zhduk. Ja ku është sot. Partia e dytë në zgjedhjet e fundit, thuajse me numër të barabartë të deputetëve me partinë fituese. Dhe patjetër se për rezultatin e fundit në zgjedhje mund të flitet gjatë, por nuk ka gjë më të pakuptimtë të thuash se rezultati i një partie që ekziston që 30 vite dhe me gjithë ato struktura që ka krijuar ndër vite gjithandej Kosovës, na qenka rezultat i një personi që shpesh edhe emrin Vjosa ia ngatërrojnë me Vjollca.

Të tjerë që kësaj situate tentojnë t’i japin ngjyrim gjinor, janë ose hipokritë ose tendenciozë. Nëse LDK problemin me Vjosën e paska për shkak se na qenka grua, si ishte e mundur që t’ia besonin kandidaturën për kryeministre? A nuk është kjo pozitë për të cilën burrat në parti të tjera e thyejnë kokën dhe nuk ia besojnë as bashkëpartiakëve burra? Si mund të konstatohet kjo betejë politike si betejë e burrave të LDK’së kundër Vjosës, kur shkarkimi i saj u votua edhe nga bashkëpartiaket e saj? A nuk janë mjaft gra ato që votuan për shkarkimin e Vjosës?

Pse mendja njerëzore duhet të stërkeqet deri në shkallën sa të tentojë që të na e paraqesë Vjosën si një feministe të denjë që ta lë nën hije edhe Simone de Beauvoir? Nëse dikush mendon se kauzat gjinore çohen përpara duke ia ngritur zërin Driton Selmanajt është llaf tjetër, ama po t’i dëgjoni fjalimet e saj në fushatën zgjedhore të fundit, nuk janë aspak në frymën e përmbysjes së roleve gjinore që i përcakton një shoqëri patriarkale si e jona. Në anën tjetër, për më shumë se një vit ish-kolege të Vjosës, atëbotë nga VV’ja e më pas nga PSD’ja, janë fyer e linçuar, madje edhe kërcënuar, dhe asnjëherë Vjosa Osmani nuk mori guximin t’iu dalë në mbrojtje. Heshti, që më vonë të rreshtohej përkrah Kurtit.

Ndërsa, qershia mbi tortë në gjithë këtë diskutim pas shkarkimit të Vjosës ishin leksionet për demokraci nga VV e Albin Kurtit, parti kjo që pikërisht për mungesë demokracie i dolën nga partia 13 deputetë, kryetari i partisë, nënkryetarë, kryetarë degës e dhjetëra aktivistë. Parti kjo që përveç shpifjeve, linçimit dhe gjuhës së urrejtjes që e kishte përdorur në atë kohë, edhe sot e asaj dite vazhdojnë avazin e njëjtë ndaj tyre. Parti kjo që për një mendim ndryshe të deputetit të saj Ilir Deda, zyrtarë të lartë partie e shanin me nënë në rrjete sociale. Parti kjo që edhe Vjosa Osmanit dikur i dukej se udhëhiqet nga dikush që ka mendësi të ngjashme me Hugo Chavezin.

Prandaj, nuk e di pse duhet të na shqetësojnë aq shumë aventurat politike të zonjës Vjosa Osmani? Pse ecejaket e saj politike duhet të bëhen shkas që të flasim për koncepte të mëdha? Pse duhet që midis pandemisë të ngarkohemi me kaq shumë patetizëm e hipokrizi? Nuk do t’ia dalim dot që t’ia shuajmë etjen për pushtet as Vjosës e as politikanëve të tjerë. Pse kaq shumë zhurmë për një politikane populiste? Ju lutem, mbani distancë nga populistët!