Lajme

VV thotë se i mori 75, por ja sa vota mori Konjufca në momentin kur u zgjodh kryetar i Kuvendit!

01/16/2020 23:24
nga:A. R.

Lëvizja “Vetëvendosje” dhe kryetari i saj, Albin Kurti nuk po tregohen të sinqertë sa i përket votave që mori Glauk Konjufca në zgjedhjen për kryetar të Kuvendit.

Në letrën e fundit, të nënshkruar nga Kurti, dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, VV-ja ka theksuar se kandidati i tyre mori 75 vota.

“Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të datës 26 dhjetor 2019, z.Glauk Konjufca ka marrë 75 vota në Kuvendin e Kosovës, përfshirë këtu votat e 27 deputetëve të LDK-së”, thuhej në letrën e LVV-së për LDK-në.

Mirëpo, si qëndron e vërteta?. Në një analizë (duke u bazuar edhe në pamjet e siguruara të seancës) del se Konjufca mori 65 vota për krye-parlamentar. VV- 28, LDK 27 si dhe minoritetet 10.

Ndërsa, partitë opozitare dhe Lista Srpska votuan kundër dhe abstenuan. Nga PDK-ja kundër ishin 21, AAK-ja 3 kundër dhe 9 abstenime, Nisma-AKR 5 si dhe Lista Srpska 10. Kështu, nga subjektet opozitare 39 vota ishin kundër ndërsa nëntë abstenime.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka pyetur Administratën e Kuvendit. Sekretari i këtij institucioni, Ismet Krasniqi ka thënë se votat do të bëhen publike votat në ueb-sajtin e Kuvendit.