Lajme

Vulin kërcënon për ndarjen e Kosovës, analisti tregon se si duhet vepruar

02/06/2018 20:24
nga:M H

Njohësi i rrethanave politike në vend, Xhemal Ahmeti ka folur për “Gazeta Blic” rreth kërcënimeve të ministrit serb Aleksandar Vulin, për ndarjen e Kosovës.

Ahmeti theksoi se Aleksandar Vulin, Marko Gjuriq, dhe Ivica Daçiç janë dëshmuar deri tash si krahu kërcënues i presidentit serb Vuçiq, dhe sa herë bëjnë kërcënime të tilla, prapa tyre fshihet Vuçiq.

“Vulin, Gjuriq, Daçiç janë dëshmuar deri tani si krahu kërcënues i presidentit Vuçiç, ky sa herë ndihet i vënë nën presion nga instancat ndërkombëtare i instrukton këta që të bëjnë kërcënime të natyrës siç i bën tani Vulin, jo vetëm më ndarjen e Kosovës. Ai kërcënoi në mënyrë të hapur edhe Maqedoninë e Malin e Zi po qenë pro aderimit të Kosovës në Interpol e UNESCO. Ata po kërcënojnë dhe në mbrëmje po sigurojnë Brukselin se ishte një reagim i domosdoshëm për politikat e brendshme, ngase e dinë se nuk vendosin ata për nesër”, tha Ahmeti.

Analisti tha se e gjithë kjo është strategji e presidentit serb, ai sqaroi se çka po mundohet të fitojë shteti serb nga këto sjellje.

“Kjo taktikë dydimensionale e Vuçiçit – të cilën përbrenda e bën ndërmjet mediave të tij – është konform strategjisë serbe që të zhvatin aq sa të munden nga të dyja blloqet Perëndim – Rusi dhe në fund të luajnë me kartën e “viktimës së pa-inkuadruar” me shpresën se do mjel edhe botën arabe, Turqinë, vendet afrikane dhe tjerat, të cilat kanë probleme me njërin apo tjetrin bllok. Pasi këtë politikë e dimë edhe ne, donë të thotë se atë e kanë e lexuar edhe BE e sidomos SHBA dhe NATO, kështu që Serbia mund të fitojë, madje ta provojë edhe ndarjen e Kosovës, krijimin e ndonjë “ballkanie postjugosllave” vetëm me një kusht: nëse politika shqiptare vazhdon kështu duke punuar në favor të projekteve të saja”, është shprehur ai.

Ahmeti foli edhe për politikën kosovare, dhe se si duhet vepruar karshi sjelljeve të shteti serb, në mënyrë që të mos humb asgjë.

“Politika kosovare është e dobët dhe humbë shumë terren, çka çon në paftëzimin e vetes para taktikave serbe dhe lodhjen e ndërkombëtarëve që mos të jenë mbrojtësit e saj me çdo kusht. Nëse politika kosovare është e zgjuar dhe nuk konfrontohet me fuqitë që i lejojnë apo ndalojnë ëndrrat e Serbisë, ajo mund edhe të nxjerr diçka. Përndryshe as që kisha preferuar të transmetohen ato se ç’ka thotë Daçiçi dhe Vulin, ngase janë vetëm njëra dorë e zgajtur e taktikave serbe për ta vënë njërin apo tjetrin bllok në presion. Siç janë punët tash, ende, askush as që e diskuton ndarjen e Kosovës, por më shumë pamundësinë e hyrjes së Serbisë në BE pa njohur Kosovën dhe pa heq duar nga kërcënimet që ua bën për çdo ditë Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe gjithë rajonit”, ka përfunduar deklaratën Ahmeti për “Gazeta Blic”.

 

Ndërsa ministri serb Aleksandar Vulin ka pohuar sot se dialogu Kosovë-Serbi, nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës.

Sipas Vulinit, dialogu vetëm është duke e penguar anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kjo marrëveshja do të arrinte ta zgjidhte kontestin mes  serbëve dhe shqiptarëve./GazetaBlic./

 

11/19/2018 22:49

Dimri sapo ka filluar, këto janë temperaturat për nesër