Lajme

Vuçiq: SHBA do të vendosë sanksione ndaj industrisë serbe të naftës

12/13/2024 22:29
nga:Y I

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të premten vonë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione “brenda pak ditësh” ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj.

“Sanksione do të vendosin edhe britanikët, por kjo do të thotë të gjithë. Ky është ndoshta një nga lajmet më të vështira”, tha Vuçiq të premten gjatë një paraqitje të ftuar në televizionin Informer.

Pronarja kryesore e NIS-it është kompania ruse Gazprom Neft që zotëron 50 për qind të aksioneve, pastaj shteti i Serbisë me 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom ka 6.15 për qind të aksioneve.

Vuçiq tha se këto janë “mbase sanksionet më të rënda” dhe se vendimi i SHBA-së do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

“Duhet të presim aktin përfundimtar. Kemi bisedime me Rusinë. Të shohim nëse (pronësia) mund të ulet nën 50 për qind, në mënyrë që të blejmë një pjesë”, tha Vuçiq.

Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi.

Serbia është e varur kryesisht nga Rusia në sektorin energjetik dhe Gazprom është furnizuesi i vetëm i gazit në Serbi dhe pronari i shumicës së të dy tubacioneve të gazit që dërgojnë gaz nga Rusia për familjet dhe industrinë në Serbi.

I pyetur nëse vendimi për sanksione është ndonjë lloj trysnie ndaj Serbisë për të vendosur sanksione kundër Rusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga ajo, Vuçiq tha se nuk mund të përgjigjet për këtë.

“Unë mendoj se është pjesë e një trysnie më të gjerë gjeopolitike ndaj Rusisë”, tha ai.

Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit për ta dënuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje me zyrtarët në Moskë.

Vuçiq theksoi ky vendim krijon “disa probleme të reja” me Rusinë, duke shtuar se pas tre vjetësh “nuk do të ishte realiste” që ai të dalë me qëndrim për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.