Lajme

Vuçiq: Nuk e kuptoj pse Merkel është kundër ndryshimit të kufijve

04/28/2019 23:04
nga:A. R.

Një ditë para samitit në Berlin, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur rreth idesë për sovranitetin e dyfishtë në Kosovë dhe marrëveshjen përfundimtare.

Ai në një emision të TV Pink e pranoi se në samitin e Berlinit pala serbe do të jetë në pozitë të vështirë pasi do të kërkohet njohja e Kosovës, gjë të cilën tha se nuk do ta bëjnë, derisa për marrëveshjen e përgjithshme akuzoi disa vende, pa i përmendur emrat e tyre, përfshirë edhe shërbimet sekrete.

“Ajo që është e rëndësishme është se me presionin e madh që erdhi nga dy ose tre vende, me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës, ideja e një marrëveshjeje të mundshme me shqiptarët është shembur dhe shumë nga njerëzit tanë kanë bërë këto punë me të huajt. Ne shkojmë nesër në Berlin që ta thonë se Kosova është e pandashme dhe se Serbia duhet ta njohë atë. Do të jemi në një situatë të vështirë. Kur thashë se po luftoja për demarkacionin, e dija se për çfarë po flisja, pasi ky ishte maksimumi në atë situatë. Nuk kemi nevojë që shembja e çdo ideje të jetë e keqe. Ne nuk do ta njohim Kosovën dhe ajo nuk do të ndahet, por kjo u mbetet gjeneratave të ardhshme të mbijetojnë gjëra të tmerrshme. U përpoqa të luftoj, të luftoj për popullin tonë në Kosovë. Unë do të luftoj për ta dhe nuk do t’i lë në baltë,” tha Vuçiq.

Duke folur për sovranitetin e dyfishtë, siç spekulohet për një plan të mundshëm rreth zgjidhjes përfundimtare të Kosovës nga mediat gjermane dhe ato austriake, presidenti Vuçiq ka thënë se nuk ka asgjë prej kësaj dhe se sipas tij bëhet fjalë për një “balonë provuese”, transmeton KosovaPress.

Kreu i shtetit serb thotë se nuk e kupton kancelaren gjermane Angela Merkel kur thotë se “nuk mund të ndryshojnë kufijtë”.

Ai tha se ka bërë çmos për arritjen e një kompromisi rreth Kosovës, por nuk pati sukses.

Duke komentuar veprimin e ambasadorit amerikan në Beograd Kyle Scott, i cili para disa ditësh ua tregoi nxënësve serb në shkollë një hartë ku duket Serbia pa Kosovën, Vuçiq theksoi se kjo është “politika e Amerikës”.

08/23/2019 01:58

Ekskluzive || Arrihet koalicioni i dytë parazgjedhor: Nisma e AKR shkojnë bashkë në zgjedhje!