Kreu i shtetit serb, Aleksander Vucic, ka thënë sot se në fillim të muajit nëntor të këtij viti do të fillojë ndërtimi i seksionit të partë të autostradës Nish-Merdare, derisa në të njëjtën kohë ka njoftuar se do të fillojë edhe ndërtimi i tubacionit të gazit Nish-Prishtinë me gjatësi prej 114 kilometrave, shkruan kossev.
Ai ka thënë se punimet do të nisin në mes të fundit të shtatorit dhe fillimit të nëntorit.
Vuçiq ka thënë se kjo do të jetë një nga zonat më të vështira për ndërtimin e autostradës.
“Nga ato 77 kilometra, ne do të kemi 85 ura, 18 kilometra do të jenë përmes tuneleve. Ne do të kujdesemi që ta përfundojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Vuçiq.
Ai thotë se do të jetë e nevojshme të ndahen 255 milionë euro për këtë pjesë të autostradës, nga të cilat BE do të sigurojë 40 milionë, për të cilat i falënderoi evropianët.
Autostrada Nish-Merdare, e cila duhet të lidhet me Prishtinën, është folur prej vitesh.
Propozimi për ndërtimin e “autostradës së paqes” Nish-Prishtinë-Durrës, është në kuadër të projektit të përmendur edhe në Marrëveshjen e Washingtonit, derisa më herët është përmendur edhe në vitin 2015 kur Vuçiq kishte qenë kryeministër dhe kishte marrë pjesë në Samitin e Vjenës për Ballkanin Perëndimor.