Lajme

Vuçiq flet për taksat: Nuk besoj se ishte vendim i pavarur i Kosovës

04/30/2019 16:50
nga:A. R.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se ishte i habitur me gjithë ato që në takimin në Berlin iu ofruan Prishtinës për të eliminuar taksat mbi mallrat serbe.

Ai vlerësoi se pala kosovare kishte ardhur në takimin e Berlinit me rekomandim për të mos pranuar heqjen e taksave, të vendosura në nëntorin e vitit të kaluar, transmeton KosovaPress.

Kreu i shtetit serb tha se askush nuk e kupton se si apo pse Prishtina ka imponuar taksat, por gjithashtu ai nuk beson se ky ishte vendim i tyre i pavarur.

“Unë nuk mendoj se këtu është përfshirë ambasadori amerikan në Gjermani, me të cilin dje u takuan Thaçi dhe Haradinaj. Por, disa njerëz me siguri janë, dhe dyshimet dhe njohuritë nuk mund t’i ndajë me ju,” tha Vuçiq.

Ai tha se pret që marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës të ndryshohen deri në takimin e ardhshëm në Paris, në fillim të korrikut dhe se sipas tij, Prishtina duhet të kuptojë se duhet të dialogohet.

“Shpresoj se gjërat do të ndryshojnë, se dikush duhet ta kuptojë se duhet të bisedojmë”, tha Vuçiq në Berlin, i pyetur nga mediat nëse ai pret që diçka të ndryshojë në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës deri në samitin e ardhshëm në Paris.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj, ka përsëritur se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës, derisa presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se nuk do të ketë dialog me kushte të vëna nga Beogradi zyrtar, i cili kërkon heqjen e taksës për vazhdimin e procesit në Bruksel.

05/24/2019 23:50

Haradinaj takon bizneset e diasporës