Lajme

“Vuçiç do të përdor shantazhin ndaj BE-së e SHBA-ve”/ Statovci: Serbia po e dramatizon çështjen e dinarit

02/06/2024 14:32
nga:G B

SHBA ka shprehur shqetësimet se për shkak të ndalimit të përdorimit të dinarit në Kosovë, mund të ketë tensione të reja nga serbët.

Lidhur me këtë, deputetja e Guxo, Jeta Statovci, thotë për Gazeta Blic se çështja po tenton të dramatizohet nga Serbia dhe ajo po e përdor kartën e destabilizimit si shantazh ndaj BE-së dhe SHBA-ve.

“Unë e kuptoj faktin që kjo tenton të dramatizohet nga ana e Serbisë, sepse çkado që ka të bëjë me respektimin e kushtetutshmërisë së vendit, për të nënkupton cenim i të drejtave të pakicave dhe në rrethana kur siguria tenton të jetë fragjile, e përdor kartën e mundësisë së destabilizimit të sigurisë e këtë e përdor edhe si mjet shantazhi ndaj BE-së, e në këtë rast edhe ndaj SHBA-ve, në një kohë kur i ka turbulencat e veta dhe tentohet të ruhet paqja dhe stabiliteti, po mendoj që veprime që janë të tilla tërësisht të ligjshme dhe në linjë me Kushtetutën, e siç thash një Kushtetutë e shkruar bashkë me partnerët tanë, besoj që duhet të na gëzojë të gjithëve të krijojmë një realitet funksional dhe të mirëfilltë, e të krijohen mundësitë edhe për qarkullim normal të parasë edhe në pjesën e veriut, mirëpo kjo duhet të jetë në një proces transparent dhe konform legjislacionit në fuqi”, shprehet ajo.

Deputetja thotë se s’duhet të konsidohet përfshirja e Qeverisë apo Kuvendit në vendim të BQK-së, e vendimi s’duhet as të diskutohet në dialog.

“Involvimi qoftë i Qeverisë, Kuvendit, apo i instrumenteve të tjera diplomatike, absolutisht nuk do të duhej të konsiderohej në raport me BQK-në si institucion që gëzon një pavarësi, e lëre më kjo të bëhet pjesë e dialogut politik në kuadër të diskutimeve në Bruksel. Gjithashtu duhet të kemi të qartë se çështja e dialogut në Bruksel nuk mund të ndërtohet mbi bazën që cenojnë sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit”, potencon Statovci për Gazeta Blic.

Ajo shton se Vuçiq do të tentojë të shantazhojë, por që ka mjaft alternativa nga BQK që procesi të funksionojë me rregull.

“Në raport me Vuçiqin, padyshim që do të tentojë të shantazhojë me mjete të tilla, mirëpo ne i kemi dhënë alternativa që gjithë procesi të funksionojë në rregull, siç është përmendur edhe nga BQK. Ndaj besoj që mundësitë dhe alternativat janë hapur që të ketë një zgjidhje konkrete dhe këto janë mekanizmat që duhet ecur tutje”.

Deputetja thotë se vendimi ka të bëjë me krijimin e një realiteti funksional, shtrirje të tërësishme të sovranitetit dhe gjithashtu edhe transparencë në raport me aspektin financiar.

“Besoj që do të shtyhet në një dimension që e tregon edhe aspektin funksional dhe praktik të saj, siç thash Serbia nuk është e çuditshme të tentojë të përdorë mekanizmin e saj të shantazhit që e lidh me masat e sigurisë, mirëpo këtu kemi të bëjmë me krijimin e një realiteti funksional, shtrirje të tërësishme të sovranitetit dhe gjithashtu edhe transparencë në raport me aspektin financiar, të cilat e kanë bazën edhe në Kushtetutë, edhe bazën ligjore, andaj nuk e di as ku është ndjeshmëria e saj”, përfundon deputetja Jeta Statovci./Gazeta Blic/

 

Zbatimi i rregullores vetëm përmes llogarive në bankat e Kosovës

Bajqinovci: Qeveria s’ka ndikim mbi BQK-në, dinari është dashur të ndalohet para 24 vitesh – tensionet po i shkakton Serbia

Kërkesa e SHBA-ve për dinarin/ Statovci: BQK është organ i pavarur kushtetues, Qeveria s’mund të ndërhyjë

Agusholli: Përmbajtja e deklaratës së Hovenier duhet të interpretohet me kujdes