Lajme

Vritet një pjesëtar i forcave britanike në një aksident në Ukrainë

12/09/2025 21:22
nga:Y I

Një pjesëtar i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar u vra në një “aksident tragjik” në Ukrainë derisa po e mbikëqyrte një testim armësh larg vijës së frontit, njoftoi Ministria britanike e Mbrojtjes të martën.

“Me keqardhje të thellë duhet të njoftojmë se një anëtar i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar ka vdekur në Ukrainë këtë mëngjes”, tha Ministria e Mbrojtjes.

Kjo është hera e parë që një pjesëtar i ushtrisë britanike është vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, shtoi ajo.

“Ai u plagos në një aksident tragjik ndërsa po vëzhgonte forcat ukrainase teksa testonin një armë të re mbrojtëse, larg vijave të frontit”, thuhej më tej.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e anëtarit të Forcave tona të Armatosura, i cili fatkeqësisht humbi jetën sot”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, në një deklaratë.

“Shërbimi dhe flijimi e tij nuk do të harrohen kurrë”, shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar ka thënë më herët se në Ukrainë ndodhet një “numër i vogël” trupash britanike për t’i mbështetur forcat ukrainase.

Një ish-ushtar britanik që po shërbente vullnetarisht në ushtrinë ukrainase u vra larg vijës së frontit në vitin 2023.