Lajme

Vritet biznesmeni në mes të kryeqytetit

02/14/2018 22:51
nga:Gazeta Blic

Një biznesmen u vra me armë në Tiranë, pranë banesës së tij ku kishte edhe shoqërinë që ai drejtonte nga viti 2016.

Memli Begalla 64 vjeç me origjinë nga Progonati i Tepelenës, baba i dy djemve, u qëllua me armë në zonën e ish-bllokut në Tiranë, pranë njësisë bashkiake numër 5. Atentarorët, ende të paidentifikuar nga policia, e kanë qëlluar biznesmenin në shesh pushimin pranë pallatit ku ai kishte banesën në katin e katërt. 64-vjecari u gjet i pajetë nga banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Ata dyshohet se janë larguar me një automjet. Me mbërritjen në vendngjarje, policia konstatoi se Begalla ishte i pajetë. Ngjarja ndodhi rreth orës 9 të mbrëmjes rrugën “Nikolla Tupe” në sheshin mes pallateve, ku duhet theksuar se mbizotëron errësira, ndërsa gjenden të parkuara edhe shumë automjete.

Banorët nuk kanë dëgjuar të shtëna, pasi dyshohet se biznesmeni të jetë qëlluar me armë me silenciator në kokë.

“Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe janë ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore”, njofton zyrtarisht policia.

Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Ndërkohë Express mëson se në ambientet e policisë u shoqëruan edhe dy djemtë e Begallës.

Momenti i shoqerimit te djemve
“Po punohet për sigurimin e provave te vlefshme për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e autorësisë së saj”, njoftoi policia.

Memli Begalla prej vitit 2016 është administrator i vetëm i shoqërisë LAB- AB, që ka aktivitet në fushën e turizmit, energjetikës, ndërtimit, import eksport, prodhim dhe eksport të industrisë ushqimorë etj. Ndërkohë, Express mëson se 64-vjeçari ka në pronësi të tij edhe dy gomisteri. Zyrat e biznesit janë pranë njësisë numër 5, ku Begalli edhe jetonte.