BLIC.TV

Vrasja e policit në Prizren, drejtori i policisë jep detaje

01/29/2020 14:00
nga:Y I

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka dhënë detaje rreth ngjarjes tragjike që ndodhi dje në Zhur të Prizrenit ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër u lëndua rënd.

Qalaj tha se fillimisht policia është thirrur për të intervenuar në një rast dhunë në familje, por më pas kanë hasur edhe në substanca narkotike dhe mjete shpërthyese.

Për ta parë gjendjen e tij për së afërmi erdhi edhe shefi i Policisë, Rashit Qalaj.

“Po e shoh që po spekulohet, policia është njoftuar fillimisht për dhunë familjarë, pastaj familjarët kanë treguar se kryefamiljari përveç dhunës në familje posedon edhe substancë narkotike. Fatkeqësisht në njërën nga hapësirë e pabanuara në atë shtëpi policia ka has në mjet shpërthyes dhe ka shkaktuar vdekjen e një polici dhe dy të lënduarve dhe një fëmijë që është lënduar”, tha ai.

Shefi i Policisë bëri të ditur se personi i arrestuar për këtë ngjarje është i njohur për policinë dhe se ai tashmë është në paraburgim.

“Personi i dyshimtë ka qenë i njohur për policinë e Kosovës , ka qenë për veprën penale i arrestuar i paraburgosur”, tha ai.

Qalaj tha se familjes së policit të vrarë, si dhe atyre që pësuan lëndime do t’u qëndrojnë afër, ndërsa tha se mungesa e sigurimit shëndetësor mbetet ende preokupim për ta.

“Është procedura e jona që për çdo rast, familjarëve të policëve do të jem shumë afër, e kemi obligim ndaj prindërve ndaj anëtarëve tjerë te kujdesemi. Polici ka humbur jetën“.

“Policët gjithmonë ballafaqohen me raste të ndryshme të rrezikshme ditë e nat, mungesa e sigurimit jetësor dhe shëndetësor është një nga çështjet që na preokupon dhe ka qenë kërkese e jona qysh moti të bëhet diçka në këtë drejtim”,, tha ai

Këto komente Qalaj i bëri gjatë vizitës së policit të plagosur, Artur Mrasori i cili po qëndron në mjekim intensiv në QKUK.

“Momentalisht gjendja e tij është stabile, lëndimet e tij janë të rënda në pjesën e kokës dhe të qafës. Mirëpo sipas mjekut organet vitale janë të paprekura, momentalisht gjendja është stabile shpresojmë qe polici të mbijetoj dhe pastaj të trajtohen ato pjesë qe ka nevojë”, tha ai.

Qalaj tha se polici që ka humbur jetën varroset sot në ora 15:00.

“Eshtë një rast i rendë, ju e dini qe kemi pasur humbjen e jetës së një polici mbrëmë dhe dy policë të lënduar. Polici tjetër është në gjendje stabile që është në Prizren, ndërsa kolegu qe ka humbur jetën ceremoninë e varrimit e ka në ora 15”, tha Qalaj.