Lajme

Vrasja e çiftit në Prizren, djali i tyre në arrati qe 20 ditë

02/10/2020 15:45
nga:Norë Kelmendi

Prokuroria në Prizren ende nuk ka mundur që të zbardhë rastin e vrasjes së Durim dhe Suada Hadrit, që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Prizren me datë 22 janar të këtij viti. Nga kjo prokurori kanë deklaruar se ende janë në fazën e hetimeve dhe të grumbullimit të informacioneve.

Ende nuk dihet asnjë detaj shtesë për vrasjen e Durim dhe Suada Hadrit, çiftit që u gjetën të vdekur javë më parë në shtëpinë e tyre në Prizren, dy ditë pasi që kishin ardhur nga Suedia për pushime.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Express, Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur nëse kanë rënë në gjurmë të djalit të çiftit, A.H, 35-vjeç, i cili po kërkohej në mënyrë që të zbardheshin detaje të rastit.

Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H, mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendodhjen e tij.

“Në bazë të informatave të siguruara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi. Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, kishin deklaruar nga prokuroria.

Durim dhe Suada Hadri jetonin në Suedi që disa vite, ndërsa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.

06/14/2020 10:43

Një grua nga Prizreni vdes nga koronavirusi, shkon në 33 numri i viktimave në Kosovë