Lajme

Votimi për marrëveshjen e koalicionit qeverisës VV-LDK po kalon pa probleme

02/02/2020 16:44
nga:Norë Kelmendi

Edhe në qytetin e Prizrenit ka nisur votimi i anëtarëve të VV-së për marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

Anëtarë të VV-së me seli në Prizren bëjnë të ditur për KosovaPress, se një numër i konsiderueshëm i aktivisteve kanë votuar dhe se i gjithë procesi po vijon pa probleme.

Sekretari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Karanfil Haxhillari, tha se votimi po shkon shumë mirë dhe të gjithë aktivistët e VV-së në Prizren e që janë 3 mijë e 20 anëtarë, janë informuar me kohë për votim dhe shpreson që deri në orën 19:00 të votojë një përqindje sa më e madhe.

“Kemi filluar që nga ora 11.00. PZAQ e Qendrës së Prizrenit i ka bërë të gjitha përgatitjet që votimi të fillojë në ora 11.00. Deri tani janë të informuar të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Prizren dhe deri tani gjithçka është duke shkuar në rregull… Listën e anëtarësisë e kemi diku 3mijë e 20 anëtarë dhe shpresojmë që deri në fund të ditës deri në ora 19:00, të votojë një përqindje sa më e madhe”, tha Haxhillari.

Ardit Xhaferi, aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje, tha se ka votuar ‘pro’ marrëveshjes për koalicionin qeverisës VV-LDK dhe se pritja e gjatë e formimit të qeverisë ia ka vlejtur.

Xhaferi theksoi se qeveria Kurti, do të jetë qeveria më e mirë që ka pasur shteti i Kosovës që nga pas lufta.

“Sot kemi dalë të votojmë për marrëveshjen e koalicionit të shpresës në mes LVV dhe LDK, edhe pse kjo marrëveshja ka zgjat shumë besoj ia ka vlejtur. Prej kësaj marrëveshje presim që të bëhet një ndryshim i madh në të gjitha fushat, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politiken e jashtme, besoj që kjo ka me qenë qeveria më e mirë që ka pas Kosova prej mbas luftës. I uroj të gjithë qytetarëve qeverinë e Albin Kurtit”, tha Xhaferi.

Agim Rexhep-Kryeziu, po ashtu votues i koalicionit LVV-LDK, tha se presin përmirësime të mëdha me ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti.

“Presim gjithçka, mezi pritëm të bëhet qeveria, shpresoj tash e pas do të jetë më mirë për punëtorët, për njerëzim, për sigurim e për krejt”, tha ai.

Ndryshe, rezultatet e referendumit të Lëvizjes Vetëvendosje për koalicionin qeverisë me LDK pritet të bëhen publike sonte pas orës 19:00.

07/10/2020 23:52

Këshilltari i Osmanit i kundërpërgjigjet deputetit Ukaj: Kjo Shtëpi e Ligjeve ka hata që mbanë brenda tipa si ky person me gjuhë rrugaçi!