Lajme

Votat për Osmanin presidente/ Bajqinovci për deputetët e Listës Serbe: E kishin hallin diku tjetër – Radojçiq s’guxon të kthehet në Kosovë

10/22/2024 22:03
nga:G B

Deputetët joshumicë, që i takojnë Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, kanë thënë se kanë votuar për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, me urdhër të Milan Radoiçiq.

Po ashtu, ata kanë thënë se janë kontaktuar nga vet kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë çështje.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se këta deputetë mund ta kenë pasur hallin se nëse Osmani nuk zgjedhej presidenti, vendi do të shkonte në zgjedhje dhe ata s’do të ishin më deputetë.

“Deputet Adem Hoxha dhe Fadil Gashi mund ta kenë pasur hallin tjetër kund atë ditë. Që nëse nuk zgjidhej Vjosa Osmani presidente e vendi të shkonte në zgjedhje ata nuk do të bëhesh përsëri deputetë”, shprehet ai.

Sipas deputetit, Osmani do të zgjedhej presidente, me apo pa votat e atyre deputetëve, duke shtuar se duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve, po faktorizohen me direktiva të Listës Serbe.

“Me sa më kujtohet mua Vjosa Osmani është zgjedhur presidente në raudin e tretë ku të pranishëm në sallë kanë qenë 82 deputetë, 2 më shumë se që është dashur të jenë në sallë. Pra si me deputetët Hoxha dhe Gashi si pa ta Vjosa Osmani do të zgjidhej presidente. Tash duan të faktorizohen pak me direktiva të Listës Serbe. Jemi në prag të zgjedhjeve”, thekson Bajqinovci për Gazeta Blic.

Ai thekson se që nga ardhja në pushtet e VV-së, Lista Serbe nuk është në Qeveri, ndërsa Radojçiq s’guxon të kthehet në Kosovë e as të shkojë në zyre të Kryeministrit, si dikur.

“Por janë disa faktet te padiskutueshme. Prej kur ka ardhur VV në qeverisje, Lista Serbe nuk është në qeveri, nuk kanë ministra e zëvendëskryeministra, nuk është në Kuvend, kurse Milani nuk guxon me u kthy në Kosovë se e lidhin në kufi Policia e Kosovës. E më herët, Lista Serbe e formonte qeverinë, i bënte votat në Kuvend për qeverinë, e Milani shkonte me patike në Zyrën e Kryeministrit. Dallimi është shumë i madh”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

“Kurti na luti, Radoiçiqi na bindi”: Dy deputetët e Listës Serbe zbulojnë pse e votuan Vjosa Osmanin

 

“Milani hiç se hiç”, ministri Peci thotë se s’ka informacion se Radoiçiq i kishte siguruar dy vota për zgjedhjen e Osmanit presidente