Edhe pse Tenderi për përzgjedhjen e Operatorit Ekonomik i cili do t’i bartte dërgesat diplomatike, respektivisht materialin zgjedhor në të gjitha përfaqësitë diplomatike, ende nuk është mbyllur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar një proces të ri paralel te përzgjedhjes së operatorit për dërgesa postare.
Express merr vesh se Prokurimi i KQZ tashmë ka kërkuar ofertë të reja.
Edhe pse janë vetëm dy javë që na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, “lëmshi” i krijuar nga KQZ në procesin e votimit të diasporës, si duket vetëm po rritet edhe më shumë dhe zgjidhjes nuk po i shihet fundi.
KQZ më 17 janar 2025 kishte shpallur operatorin Ekonomik “A.L DUSHI” operator të “përgjegjshëm” për bartjen e materialit zgjedhor drejt përfaqësive diplomatike dhe anasjelltas edhe pse ky operator kishte ofertuar me çmim gati dy herë më të lartë se operatori i parë. Operatorit ekonomik “A.L. DUSHI” iu kishte ndërprerë kontrata nga Ministria e Punëve të Jashtme me 24.12.2024 pas skandalit të shkaktuar me humbjen e më shume se 400 pasaportave të bashkatdhetarëve dhe më shumë se 100 dokumenteve zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës.
Për të njëjtin Operator Ekonomik, Ministria e Punëve të Jashtme kishte kërkuar të futet në listë të zezë duke mos pasur mundësi që të merr pjesë në asnjë tender publik ne afat prej 1 viti.
Ky skandal nuk e kishte penguar KQZ që të shpallin fitues “A.L DUSHI”, edhe pse me çmim dy herë më të lartë se operatori i parë
Në anën tjetër, pas kërkesës në qasje të dokumenteve zyrtare, gjegjësisht dosjes se ofertës së Operatorit Ekonomik „AL DUSHI“, u mësua që ky operator kishte dorëzuar dokumentacion i cili nuk e kualifikon si një operator për kryerjen e shërbimeve postare diplomatike, duke lënë të kuptohet se KQZ kishte bërë shkelje të serioze të ligjit.
Pas ankesës së operatorit me ofertën më të ulët, KQZ me 23.01.2025 merr vendim për pezullim te procesit deri në njoftimin e radhës. Sido që të jetë procesit i votimit në diasporë për shkak të komplikimeve në KQZ mund të rrezikohet krejtësisht.