Opinion

Vota e 6 tetorit u frymëzua nga mesazhet e ambasadave perëndimore

01/27/2020 14:46
nga:Bislim Bislimi

Shkruan: Bislim Bislimi

Kushdo që mendon se për prioritetet e SHBA’së në Kosovë, është më e rëndësishme marrëveshja përfundimtare me Serbinë se sa zhvillimi e fuqizimi i demokracisë, sundimit të rendit dhe të ligjit dhe luftimi i krimit e i korrupsionit, e ka gabim.

Gjatë gjithë vitit 2019, në hulumtimet e opinionit publik në Kosovë, korrupsioni e kishte kryesuar listën e problemeve e shqetësimeve më të mëdha të kosovarëve. Korrupsion në Kosovë ka pasur që nga përfundimi i luftës, por vetëm në 2-3 vitet e fundit është kthyer në shqetësimin më të madh të popullit. Kjo është arsyeja pse shumë nga partitë politike në fushatën e fundit, kishin provuar që ta kthenin këtë çështje në kauzë elektorale.

Është tejet e rëndësishme të shpjegohet pse korrupsioni ishte kthyer në shqetësimin më të madh të kosovarëve. Dihet se, kur një shtet, si rasti ynë, dështon ta adresojë korrupsionin me mjetet penalo juridike, përkatësisht përmes prokurorive dhe gjykatave, atëherë ajo duhet me patjetër të kthehet në adresim përmes një gjyqi tjetër: gjyqit publik.

Kauzën antikorrupsion në Kosovë e kanë filluar ambasadat e shteteve mike në Kosovë, saktësisht Ambasada e SHBA’së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Zvicrës etj. Ato, me një pasion të jashtëzakonshëm kanë denoncuar publikisht afera korruptive në 3 vitet e fundit. Fushata e tyre duke i bërë thirrje qytetarëve, shoqërisë civile, mediave etj, që të refuzohen, denoncohen e mos te votohen politikanë e parti të korruptuara, ka qenë mbresëlënëse. Më e rëndësishmja, ka qenë tërësisht rezultative.

Sipas shumë hulumtimeve, vota e 6 tetorit ka shkuar pikërisht në këtë drejtim. Ka qenë një votë kundër krimit dhe korrupsionit. Sovrani i këtij vendi, ka dhënë një verdikt ‘dënues’ për ata që janë konsideruar mirëmbajtësit e korrupsionit në vend. Por nuk besoj se kjo do të kishte ndodhur pa fushatën pa pardon antikorrupsion që e frymëzuan ambasadat e vendeve mike. Kështu, implementimi i vullnetit të popullit, nuk mund të mos jetë politikë amerikane dhe perëndimore.

Prandaj, SHBA dhe vendet tjera partnere, nuk ka mundësi në asnjë rast që të mbështesin formula që përmbysin rendin demokratik e kushtetues, por mbi të gjitha, që e hudhin poshtë kumtin antikorrupsion të cilin e ka dhënë me qartësi populli i Kosovës më 6 tetor, megjithëse, sipas formulës së njohur që “krimi nuk ka atdhe”, marrëveshjet e celulave ndërpartiake të korrupsionit në Kosovën, veç janë bërë gati, që te pengohet konstituimi i institucioneve demokratike e kushtetuese.

Edhe argumenti i marrëveshjes me Serbinë, përmes të cilit synohet të argumentohet rikthimi jo demorkatik në pushtet i të ndëshkuarve në zgjedhje, nuk i qëndron argumenteve racionale politike. Marrëveshja me Serbinë, mund të ketë sukses vetëm kur e njëjta gëzon një pranueshmëri e konsensus popullor mbi 80%.

Pra, ky prioritet nuk mund të adresohet pa pasur parasysh edhe shkallën e legjitimitetit të tij.