Lajme

Vjosa Osmani me akuza: Derisa po negocionim me VV, Hoti prapa shpinës sime punoi për qeveri me AAK-në dhe Nismën

07/21/2020 21:31
nga:Gazeta Blic

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se është e qartë si kristali për secilin qytetar të Kosovës se Qeveria aktuale është ndërtuar me ndihmën e presidentin Hashim Thaçi.

Ajo tha se Avdullah Hoti mban postin e kryeministrit me vullnetin e Thaçit dhe se kjo dihet fare mirë, sipas saj, pavarësisht që s’e pranojnë, njofton Klan Kosova.

Për më tepër Osmani ka hedhur akuza ndaj bashkëpartiakut të saj se punoi për një koalicion me AAK-në dhe Nismën edhe kur ishin duke negociuar me Vetëvendosjen.

“Kjo qeveri është plan, nuk është pasojë. Së paku unë e kam vërejtur nga 6 tetori e tutje, mund të ketë pasë edhe më herët. Tash nga diskutimet që i kam me njerëz të ndryshëm më tregojnë që ka pasë plan dhe pastaj ka pasë veprime intensive ku edhe vetë Hoti, së paku nga ajo që më kanë treguar deputetët e LDK-së, kur ne negocionim me Vetëvendosjen ai fliste me deputetë të LDK-së dhe iu thoshte që kjo do të dështojë. Ne do të shkojmë në Qeverinë LAN dhe kërkonte votën e tyre. Më konkretisht në muajin janar takohej me deputetë të LDK-së dhe këtë ma kanë thënë vetë deputetët e LDK-së”.

“Këtë e dinë shumë mirë shumë njerëz që janë madje edhe ministra. Madje edhe e kanë thënë disa prej tyre në takimet e përbashkëta me shumë njerëz kur është vendosur të shkohet në koalicion me ta. Njëri prej tyre iu tha: “Në rregull po e kuptojmë që po shkoni në koalicion me AAK-në dhe Nismën, por mos u sillni sikur nuk e keni ditur sepse ju keni punuar prej ditës së parë për këtë koalicion”. Unë e kuptoj që për momentin këta njerëz nuk dalin dhe nuk i tregojnë këto gjëra. Mirëpo është joetike mos të kandidosh në zgjedhje dhe prapa shpinës së kandidates për kryeministre përderisa ne negocionim me një partner tjetër, të shkosh dhe të flasësh me deputet të LDK-së dhe t’u kërkosh atyre votën për një qeveri tjetër kur je kryeministër, së paku lufto ndër sy, puno ndër sy, lufto ndër sy”.

“Kur po e shoh si kanë qenë planet nga fillimi, më bën të mendoj se edhe atëherë, akterët e ndryshëm politikë do ta krijonin situatën që do të parandalohej koalicioni me LVV dhe do të tentohej të shkohej me të tjerët. Shumë nga LDK nuk e kanë pasur seriozisht bashkëpunimin me VV-në”.

“Arsyeja përse hyra te tema e legjitimitetit politik është se në qoftë se ne e konsiderojmë në rregull që kandidat të tjerë të kërkojnë besimin qytetar në platforma komplet tjera dhe pastaj t’u servohet qytetarëve e kundërta nga ata që kanë shfaqur besim, është e dëmshme për demokracinë, kjo nuk është demokraci.

Osmani në Rubikon të Klan Kosovës tha se kishte kërkuar nga kryetari Isa Mustafa që nëse nuk funksionon partneriteti me VV-në, LDK të qëndrojë në opozitë dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme.

 

Osmani: Kryeministri s’ka transparencë me Kuvendin, po bën deklarime si Thaçi dikur

09/21/2020 23:49

A po largohet nga AAK?! Kjo është përgjigja e Donika Kadaj- Bujupit